Mali i Zi nis garën për në BE. Po Shqipëria?
Komisioneri europian për Zgjerimin në Bashkimin Europian, Olli Rehn, e rrumbullakosi, pra i dha fund mandatit të tij, duke u dhënë lajme të mira disa vendeve dhe duke mbajtur me kurajë disa të tjera në rajonin e Ballkanit Perëndimor, të cilit, në fakt, i kushtoi edhe vëmendjen më të madhe që kur erdhi në këtë detyrë. Pas lajmit të mirë për liberalizimin e ardhshëm të vizave, që do të përfshijë që nga janari i ardhshëm tre vende ballkanike, Maqedoninë, Serbinë dhe Malin e Zi, ky i fundit doli edhe një herë në pah kur mori ditët e fundit pyetësorin nga Komisioni Europian (KE). Dhe për rëndësinë që ka ky veprim, tregon qartë edhe pritja ekspres e Kryeministrit malazez, Millo Gjukanoviç, nga Presidenti i Komisionit Europian, Zhoze Manuel Baroso.
Maqedonisë, nga ana e saj, iu dha mesazhi se pas një pritjeje shumëvjeçare para derës së bisedimeve të anëtarësimit, më në fund ajo mund të shpresojë te mbështetja e KE-së, në rast se brenda dy muajve, kohë maksimale e kërkuar nga ky komision, ajo arrin të përshkojë etapën e fundit të reformave politike.
Serbisë, komisioneri i deritanishëm për Zgjerimin i BE-së, i theksoi edhe një herë tjetër se KE-ja me të vërtetë është e angazhuar ta fusë vendin në BE, sapo Beogradi të përmbushë angazhimet që ka ndaj Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës për Krimet e Luftës në ish-territoret jugosllave.
Edhe Shqipëria, nga ana e saj, gjithashtu nuk mbeti pa lajm të mirë, megjithëse jo aq të mirë siç morën tre vendet e lartpërmendura (Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia). Vendi ynë tashmë e ka marrë mesazhin se ai mund ta marrë statusin e vendit kandidat për në BE që këtë verë, sepse, sikurse e theksoi edhe Franko Fratini, "kërkesa e saj nuk duhet të lihet në ndonjë sirtar të zyrave të Brukselit dhe se vendet e Ballkanit Perëndimor nuk mund të përjashtohen nga procesi i madh në BE".
Por, sidoqoftë, më i favorizuari, për momentin, është Mali i Zi, i cili veç lajmit të mirë për liberalizimin e afërm të vizave nga ana e BE-së, siguroi edhe një angazhim suplementar që e afron atë më shumë me portat europiane. Eurokomisioneri Rehn dorëzoi në Podgoricë pyetësorin për reformat demokratike dhe zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit. Administrata e Malit të Zi tani ka si detyrë të fillojë të përgatisë përgjigjet ndaj gjithsej 2187 pyetjeve dhe 1188 nënpyetjeve që përmban pyetësori europian prej 368 faqesh. Komisioni Europian i ka bërë të qartë Malit të Zi se ky i fundit ka maksimumi katër muaj kohë që t‘u përgjigjet pyetjeve dhe t‘i dërgojë përgjigjet në KE që, nga ana e tij, do të shprehë atëherë vlerësimin e vet për gjendjen e gatishmërisë së Malit të Zi që të bëhet vend kandidat për në BE. Këshilli i Europës, nga ana e tij, mbi bazën e vlerësimit të KE-së, do të vendosë nëse Malit të Zi do të mund t‘i jepet statusi i vendit kandidat dhe t‘i caktohet data për fillimin e bisedimeve të anëtarësimit në BE.
Gjatë dorëzimit të pyetësorit të KE-së në Podgoricë, Olli Rehn u vuri në dukje malazezëve se Komisioni Europian është i gatshëm t‘i ndihmojë ata në të gjitha fazat e procesit, por se cilësia e përgjigjeve që do japin ata është kyçe që KE-ja të mund të përgatisë një vlerësim me të vërtetë objektiv, të ekuilibruar dhe korrekt të gatishmërisë së Malit të Zi. "Për hapat e ardhshëm në rrugën e integrimit europian të Malit të Zi do të përgjigjeni ju vetë, pra topi është në fushën tuaj", tha Rehni në Podgoricë, duke theksuar se për çdo vend që synon të bëhet anëtar i Bashkimit Europian, është kërkesë thelbësore që ai të aplikojë me efikasitet rregulloren ligjore, pra legjislacionin e BE-së.
Qeveria e Malit të Zi e di se atë e presin mjaft sfida, sidomos në ekologji, krijimin e shtetit të së drejtës, zhvillimin e demokracisë dhe në bujqësi, ndërsa është më se e ndërgjegjshme për rëndësinë e kritereve politike. Megjithatë, Kryeministri Gjukanoviç, sikurse vë në dukje media malazeze, nuk dëshiron të veçojë qoftë edhe një kapitull të pyetësorit të KE-së si një të tillë që do të përbëjë një detyrë specifikisht të vështirë për Malin e Zi. I ndërgjegjshëm se administrata e Malit të Zi nuk është e përsosur, ashtu si në çdo vend tjetër të Ballkanit Perëndimor, ai (Gjukanoviçi) i njeh mirë defektet e saj, por, sidoqoftë, është kjo administratë që ka meritën kryesore që vendi arriti të kapërcejë me sukses dhe efikasitet fazat e deritanishme të euro-integrimit.
Deri tani, statusin e vendit kandidat për në BE e kanë siguruar Kroacia, Turqia dhe Maqedonia, ndërkohë që kjo e fundit ende nuk i ka filluar bisedimet e anëtarësimit. Njohësit e rrethanave përkatëse në rajonin e Ballkanit Perëndimor vlerësojnë se përgjigjet malazeze ndaj pyetjeve dhe nënpyetjeve të KE-së do të zënë rreth 8000 faqe. Sa për krahasim, përgjigjet e Kroacisë zunë 7000 faqe, kurse ato të Maqedonisë 14000 faqe; në Kroaci në procesin e dhënies së përgjigjeve të pyetjeve të KE-së u angazhuan 2000 veta, në Maqedoni 1000 veta, kurse në Malin e Zi planifikojnë që këtë punë ta mbarojnë 600 nëpunës, plus 50 përkthyes. Mali i Zi shpreson që ta fitojë statusin e vendit kandidat për në BE vitin e ardhshëm, ndërsa bisedimet e anëtarësimit t‘i fillojë në vitin 2011.