Në dhjetor, ligjshmëria e pavarësisë së Kosovës
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka vendosur që më 1 dhjetor të fillojë mbajtjen e dëgjimeve publike për ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Gjykata do të ftojë të gjitha palët e interesuara, përfshi Beogradin e Prishtinën për të paraqitur argumentet mbi shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Zyrtarë të gjykatës thanë se 36 vende kanë paraqitur kumtesat e tyre me shkrim, përfshi këtu edhe vetë autoritetet në Kosovë. Nga mesi i muajit korrik ka skaduar afati i dorëzimit të dokumenteve shtesë për Kosovën. Gjykata, që vitin e kaluar u autorizua nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së për të vlerësuar ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, pritet të marrë një vendim, deri nga mesi i vitit të ardhshëm. Vendimi i saj thuhet se nuk obligon asnjë nga shtetet, megjithëse analistët vlerësojnë se do të mund të ndikonte në njohjet e reja për Kosovën.