E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mali i Zi përkrah kthimin e eshtrave të Nënë Terezës

Mali i Zi mbështet nismën e kryeministrit të Shqipërisë Sali Berisha për kthimin e eshtrave të Nënë Terezës në vendin tonë. Kështu ka deklaruar ministri i Pakicave Kombëtare të Malit të Zi, Ferat Dinosha, në një aktivitet të mbajtur në Tuz kushtuar 6-vjetorit të Lumturimit të saj. Dinosha përshëndeti nismën e kryeministrit Berisha dhe theksoi se vendi i tij do ta mbështesë këtë nismë.
Në aktivitetin me këngë, valle dhe recitime kushtuar Nënë Terezës merrnin pjesë edhe kryetari i komunës, përfaqësues të klerit dhe të partive politike në vend, po kështu dhe kreu i Unionit Artistik Mbarëkombëtar Azgan Haklaj.
Ndërkohë, kërkesa e kryeministrit Sali Berisha për kthimin e eshtrave të Nënë Terezës në Shqipëri ka zënë vend në mediat e huaja. Pas prestigjiozes CNN, gazeta britanike Times shkruan për atë që ditët e fundit ajo e cilëson si një fërkim mes Shqipërisë dhe Indisë lidhur me vendin ku do të prehen eshtrat e bamirëses shqiptare. Është hapur një çështje, – thekson Times, lidhur me kërkesën e kryeministrit shqiptar Sali Berisha që kthimi i eshtrave të bëhet në 100-vjetorin e lindjes së saj, gushtin e vitit që vjen. Sipas Times, bisedimet me qeverinë indiane kanë filluar, dhe pritet që të intesifikohen në muajt në vijim. Ashtu si CNN edhe gazeta britanike citon shprehjen me të cilën misionarja e bamirësisë identifikonte veten e saj: Në gjak jam shqiptare, me shtetësi indiane e besim katolike.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›