E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mali i Zi, qendra e kalimit për në Shqipëri

Shqipëria has vështirësi në gjetjen e rrugëve të transmetimit të energjisë

Në Mal të Zi krijohet autoriteti koordinues për të gjithë Ballkanin Perëndimor

Ballkani Perëndimor do të ketë një qendër të përbashkët për gjetjen dhe transmetimin e energjisë

TIRANË- Problemet e vazhdueshme me mungesën e rrugëve të lira për importin e energjisë elektrike, kanë detyruar ministrat e Energjetikës të vendeve të Ballkanit Perëndimor të ngrenë një qendër rajonale koordinatave, për zhvillimin e ankandeve dhe importin e energjisë. Gjatë konferencës për shtyp, zhvilluar në fund të punimeve dyditore të Këshillit të Ministrave të Komunitetit të Energjisë, ministri shqiptar i Energjetikës, Genc Ruli, deklaroi se ky organ do të vendoset në Mal të Zi dhe do të bëjë të mundur koordinimin dhe lehtësimin e procedurave për importin e energjisë për vendet anëtare të Komunitetit të Energjisë, në të cilën bën pjesë edhe Shqipëria. “Kjo qendër, ka një rëndësi mjaft të madhe për vende si Shqipëria, të cilat kanë mjaft probleme me kapacitetet transmetuese”, - citohet në njoftimin për shtyp të Ministrisë së Energjetikës. Eksperienca e viteve të kaluara ka treguar se vende të rajonit, pavarësisht gjetjes së tregjeve për blerjen e energjisë, e kishin të pamundur gjetjen e rrugëve të lira për transmetimin e saj në vend. Krahas ngritjes së një qendre rajonale të ankandeve për kapacitetet transmetuese, pjesë e vendimeve të marra ishte dhe miratimi dhe ngritja e një grupi të koordinimit për furnizimin me energji të vendeve anëtare të këtij traktati. Po ashtu, Këshilli i Ministrave të Energjisë pranoi kërkesën e bërë nga KE-ja për studimin e mundësisë së adoptimit të direktivës së Bashkimit Evropian për energjitë e rinovueshme, duke miratuar hartimin e një liste me projektet prioritare në energjetikë. “Miratimi i kësaj liste do të bëjë të mundur orientimin e investitorëve, të cilët janë të interesuar për projektet që do të zhvillohen në të ardhmen”,- u shpreh ministri Ruli. Mbledhja e Ministrave të Komunitetit të Energjisë, u zhvillua në datat 10 dhe 11 dhjetor, nën presidencën e radhës të ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjisë, Genc Ruli, dhe të dërguarit të Komisionit Evropian, Fabrizio Barbaso. Ky i fundit vlerësoi si pozitiv drejtimin gjashtëmujor të këtij Komuniteti nga Shqipëria. I pyetur për ndërtimin e termocentralevebërthamore në Shqipëri, Barbaso tha se ajo duhet të përmbushë standardet e BE-së, meqë synon të anëtarësohet në këtë organizëm. Prioritet i presidencës shqiptare kanë qenë zhvillimi i tregut të energjisë, marrja e masave për reduktimin e problemeve sociale, si pasojë e reformave, investimet në nivel kombëtar, si dhe sigurimi i burimeve të energjisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›