E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mali i Zi s’e pret GJND-në për njohjen e Kosovës

Mali i Zi nuk ka arsye që të presë vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) në Hagë për të vendosur marrëdhënie diplomatike me Kosovën, ka thënë ministri malazez i Punëve të Jashtme, Milan Roçen.

"Ky është një tregim i përfunduar. Kur e njihni një vend, atëherë është logjike faza tjetër - vendosja e marrëdhënieve diplomatike", ka thënë Roçen për gazetën "Vijesti". "Kur kemi vendosur për njohjen e Kosovës, jemi udhëhequr nga mendimi shumicë i BE-së. Edhe në bazë të mendimit të Gjykatës së Hagës do të kemi të njëjtin qëndrim".

Në konstatimin e gazetarit se presidenti malazez Vujanoviq dhe zv.kryeministri Maroviq kanë deklaruar se do të respektojnë vendimin e Gjykatës së Hagës dhe nuk do të vendosen marrëdhëniet me Kosovën deri në vendimin e gjykatës, Roçen ka thënë se "këto janë mendime të njerëzve të përgjegjshëm në pushtetin e Malit të Zi, ndërsa qeveria e cila udhëheq politikën e jashtme ka vendimin e saj për njohjen e Kosovës".

Shefi i diplomacisë malazeze ka theksuar se realizimi i njohjes do të rrumbullakohet me vendosjen e marrëdhënieve diplomatike dhe se për këtë është e ngarkuar Ministria e Punëve të Jashtme.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›