E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjedhjet më 2011

Kryeministri Hashim Thaçi nuk pret kurrfarë zgjedhjesh të parakohshme të nivelit nacional, pavarësisht parashikimeve për këtë si rrjedhojë e përplasjeve mes partnerëve kryesorë të koalicionit aktual qeveritar.

Lideri i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) ka thënë se zgjedhjet e përgjithshme në vend do të mbahen pas skadimit të mandatit katërvjeçar të Qeverisë aktuale.

“Do të respektohet afati ligjor dhe kushtetues, pra vjeshtë 2011”, citohet të ketë thënë Kryeministri Thaçi, në një intervistë për Radion Blue Sky.

Ai ka shtuar se koalicioni qeverisës është stabil, mirëpo do të ketë ndryshime përbrenda tij.

“Përkundër përsëritjes së balotazhit në Prizren dhe Lipjan, në përgjithësi zgjedhjet kanë qenë të lira, fer dhe demokratike”, ka thënë Thaçi, duke shtuar se përsëritja e zgjedhjeve nuk e ka prishur imazhin pozitiv të procesit elektoral.

“Mendoj që kjo e rrit transparencën, kjo e rrit përgjegjësinë dhe kjo është një mësim që vullneti i qytetarëve është i paprekshëm dhe i pacenueshëm. Mund të ketë pasur parregullsi në kuptimin teknik, por nuk jam ai i cili jep opinione për vendimet e institucioneve me autoritet kushtetues të pavarur, qoftë të KQZ’së apo KZAP’së. Vendimet e tyre duhet të jenë obligative e të respektuara nga selitë e partive politike”, ka deklaruar Kryeministri Thaçi.

Ndryshe, Kryeministri pret që gjatë vitit të ardhshëm të ketë më shumë njohje për shtetin e Kosovës, pas mendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Ai gjithashtu thotë se Kosova po ecën suksesshëm drejt integrimit dhe liberalizimit të vizave dhe nuk e sheh shumë problem faktin që Spanja do të kryesojë Bashkimin Europian në gjysmën e parë të viti të ardhshëm. Në rrafshin ekonomik, Kryeministri Thaçi premton se do të ketë kredi më afatgjata për biznes me norma më të ulëta interesi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›