E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mali i Zi sot drejt kutive të votimit

Ditën e sotme në Mal të Zi zhvillohen zgjedhjet lokale. Për këshilla bashkiakë do të votohet në Podgoricë, Andrijevicë, Bar, Berane, Bijello Pole, Danilovgrad,

Zhablak, Kollashin, Plavë, Pluzhinë, Pljevle, Rozhajë, Ulqin dhe Shavnik, ndërsa për këshillat të Kuvendeve Komunale do të votohet në Tuz dhe Gollubovc. Gjatë fushatës parazgjedhore, ashtu siç u parashikua, u përdorë një gjuhë e ashpër e opozitës proserbe dhe kryeministrit dhe liderit të DPS-së, Millo Gjukanoviç. Koalicioni opozitar Mali i Zi më i mirë, i bindur në fitore, ka paralajmëruar kryeministrin Gjukanoviç se të hënën pas fitores do të shkojnë para godinës qeveritare dhe do të kërkojnë nga Millo Gjukanoviç që të ikë sepse shumica e Malit të Zi nuk e dëshiron, dhe çlirimi sipas liderit opozitar, Andrija Mandiç po fillon. Fushatës së egër të opozitës proserbe, lideri i maxhorancës Gjukanoviç i është përgjigjur dhëmbë për dhëmbë, duke hedhur poshtë madje edhe propagandën që ata përdorën, duke prezantuar një pjesë të tyre si diaspora serbe e Malit të Zi.

Tre shtete mbështesin praninë e vendeve të Ballkanit në BE
Rumania, Bullgaria dhe Greqia kanë miratuar një deklaratë të përbashkët, me të cilën shprehin mbështetjen e tyre për pranimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE, bëri të ditur ministri i Jashtëm i Rumanisë, Teodor Basonsçi. Ne kemi miratuar një deklaratë, duke theksuar angazhimin tonë të përbashkët në perspektivën evropiane të Ballkanit perëndimor, tha Basonsçi, pas takimit me kolegët e tij nga Bullgaria dhe Greqia. Të tre zyrtarët, të cilët u takuan dhjetë ditë para samitit BE-Ballkan, që do të mbahet në Sarajevë, në fillim të qershorit, i kanë dërguar një letër shefes së politikës së jashtme të BE-së, Kethrin Eshton, dhe komisionarit për zgjerim, Shtefan Fyle. Ne shprehëm interesimin e përbashkët për të ringjallur debatin për zgjerim me Ballkanin perëndimor, tha ministri i Jashtëm bullgar, Nikolai Mlladenov. Shqipëria dhe Bosnja janë dy shtetet që presin do të diskutohen në Sarajevë rreth proceseve që këto vende kanë bërë për integrimin ne Bashkimin Europian. 

Drukas: Interesi ynë, të respektohen të drejtat në Kosovë
Ministrat e Jashtëm të Greqisë dhe Serbisë, Dimitris Drukas dhe Vuk Jeremiç janë takuar në Athinë dhe kanë biseduar kryesisht për të ardhmen evropiane të Serbisë dhe rajonit.  Ministri i Jashtëm i Greqisë, Dimitris Drukas, e mbështet Serbinë në rrugën drejt anëtarësimit në BE dhe nga ana tjetër thekson se fqinjësia e mirë është kusht për euro-integrimin. Respektimi i parimit të fqinjësisë së mirë është ndër kushtet bazë për anëtarësim në Union. Respektimi i parimit të fqinjësisë së mirë është kusht shumë i rëndësishëm, në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, i kujtoi Drukas homologut të tij serb, Vuk Jeremiç. Drukas dhe Jeremiç u takuan në Athinë dhe biseduan kryesisht për të ardhmen evropiane të Serbisë dhe rajonit. Jeremiç e falënderoi Greqinë për mbështetjen e dhënë në perspektivën evropiane, në luftën për të ruajtur integritetin e sovranitetin mbi Kosovën, si dhe në bashkëpunimin ekonomik. Sa i përket Kosovës, shefi i diplomacisë greke nënvizoi se për Athinën, më e rëndësishmja është respektimi i të drejtave të njeriut atje. Nga ana e tij, ndër të tjera Jeremiç shprehu besimin për një numër rekord të turistëve serbë në Greqi gjatë kësaj vere. Greqia po përballet me krizë në fushën e turizmit, si rezultat i trazirave të shkaktuara nga vështirësitë buxhetore.

Serbia akuza Shqipërisë për Kosovën
Shqipëria është përpjekur ta paraqesë çështjen kosovare si një konflikt të lindur mbi bazë fetare dhe jo etnike. Kështu është shprehur drejtori politik në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Serbisë, Borko Stefanovic, duke komentuar qëndrimet në konferencën islamike gjatë një interviste. Sipas Stefanovic, kjo politikë e Shqipërisë bëhet për të rritur njohjen e vendeve myslimane që njohin Kosovën. Është vërejtur një tentativë e qartë, e pabesë, që problemi i Kosovës të paraqitet në aspekt fetar dhe jo në atë etnik. Kjo është bërë për faktin që vendet pjesëmarrëse në konferencë islamike të mbështesin myslimanët në Ballkan, u shpreh Borko Stefanoviç, Drejtor Politik në MPJ serbe. Në organizatën e konferencës islamike të mbajtur në Taxhikistan delegacioni shqiptar ofroi një tekst rezolute për Kosovën me ane të së cilës afirmohet pavarësia e saj dhe ftohen vendet anëtare që ta njohin shtetin me të ri në Ballkan.

Ish shefi i OSBE, kritika doganierëve të EULEX
Ish shefi i misionit verifikues të OSBE-së në Kosovë, Uilliam Ualker, kritikon doganierët e EULEX, të cilat siç raportuan disa media kosovare, ushtruan kontroll ndaj bagazheve të kryeministrit Hashim Thaçi dhe katër ministrave të kabinetit të tij, ndërsa po udhëtonin për një vizitë zyrtare në Turqi. Ualker tha se ndihet i fyer dhe i ofenduar me veprimin e fundit të doganierëve të EULEX, të cilin e ka cilësuar arrogant, joprofesional, dhe jashtë çdo norme shtetërore. Nëse bëhet kontrolli tek Hashim Thaçi si individ, kjo është normale, por ta kontrollosh kryeministrin, kjo është turp, ka thënë Ualker. Sipas tij, nuk mund të përçmohen në këtë mënyrë udhëheqësit e një qeverie të zgjedhur në mënyrë demokratike. Sipas ambasadorit Ualker, EULEX-i nuk ka kompetenca, që të kontrollojë në këtë mënyrë autoritetet shtetërore të Kosovës

Last Updated on E Shtune, 22 Maj 2010 19:16

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›