Mali nën kontrollin e plotë të ushtrisë

Sipas kapitenit Amadou Sanogo, ai u “detyrua” të rrëzonte qeverinë, për të rikthyer sigurinë në vendin e Afrikës Qendrore. Ai premtoi se do t’i dorëzojë pushtetin një qeverie të zgjedhur, menjëherë sapo të shtypë kryengritjen e tuaregëve.
Trupat pas grushtit të shtetit akuzojnë autoritetet e mëparshme se nuk i dhanë armë mjaftueshëm për të luftuar. Përpara se qeveria e zgjedhur e Bamakos të rrëzohej, tuaregët kishin arritur të vinin disa territore nën kontroll, duke zmbrapsur ushtrinë.
”Forcat e sigurisë, ato ajrore e tokësore, çdokush, çdo civil i vetëm është tashmë nën kontrollin e regjimit ushtarak, të cilin unë e drejtoj”, deklaroi Sanogo.
”Njerëzit janë rikthyer në normalitetin e tyre të jetës së përditshme. Tregjet janë hapur, transporti është duke funksionuar dhe unë besoj se po i afrohemi më pranë realizimit të atyre që i kemi premtuar çdo banori të Malit”, shtoi ai.
Për momentin, është e paqartë vendndodhja e presidentit Amadou Toumani Toure, por besohet se ai është vendosur nën mbrojtjen e një garnizoni, që i ka qëndruar besnik.
Pavarësisht se aktualisht zotëron kontroll të plotë mbi vendin, Sanogo po përballet me trysni të shtuar ndërkombëtare, për të rikthyer qeverinë demokratike në vend.