E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pheniani kërcënon bashkësinë ndërkombëtare

Koreja e Veriut po i paralajmëron udhëheqësit botërorë të mos ngrenë çështjen e armëve bërthamore të vendit në një takim që mbahet këtë javë në Korenë e Jugut.

Vendi i izoluar thotë se do ta konsideronte “shpallje lufte” çdo deklaratë mbi çështjen e programit të Koresë së Veriut në Takimin e Sigurisë Bërthamore.

Në një kohë kur tendosjet po shkallëzohen përsëri me shpejtësi në gadishullin Korean, në Seul do të mbahet takimi ndërkombëtar i nivelit të lartë, ku pritet të marrin pjesë edhe presidentët e Shteteve të Bashkuara dhe të Kinës.

Takimi për Sigurinë Bërthamore synon t’ua vështirësojë terroristëve të sigurojnë materialet e nevojshme për prodhimin e armëve bërthamore. Koreja e Veriut e paralajmëroi Seulin se një rezolutë e mundshme në takim lidhur me programin bërthamor të vendit do të shihet si një provokacion, që konsiderohet “akt lufte”.

Megjithëse Koreja e Veriut nuk është një temë në rendin e ditës për t’u diskutuar në takim, zyrtarët thonë se në takimet e veçanta dy-paleshe mes udhëheqësve është e sigurt që do të diskutohet për programet bërthamore dhe ato të raketave të Phenianit.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›