E Diel, 1 Nëntor 2026

Femra që mund të rrezikojë Karzain

Shtypja e femrave është përditshmëri në Afganistan. Por Fausia Kufi nuk është dorëzuar dhe gjunjëzuar asnjëherë. Synimi i saj kryesor: që të mposhtë presidentin e Afganistanit, Hamid Karzai dhe të zë vendin e tij.

Për femrat, Afganistani është vendi më i rrezikshëm në botë. Edhe përkundër kësaj, deputetja Fausia Kufi ëndërron që një ditë të bëhet presidente. “Kam qenë gjithmonë e para”, thotë ajo. Ajo ishte femra e parë në familjen e saj, e cila shkoi në shkollë.

Ishte femra e parë, e cila punoi për OKB-në, gjatë kohës sa Afganistani qeverisej nga pushteti radikal islamik i talebanëve. Ishte nënkryetarja e parë e parlamentit të Afganistanit. Tani Kufi shpreson edhe më shumë: të bëhet presidentja e parë e Afganistanit, në vitin 2014, kur është paraparë të zhvillohen zgjedhjet presidenciale.

Dhe atë pikërisht në Afganistan, ku martesat e detyruara, martesat e fëmijëve, vrasjet e nderit, dhuna dhe tregtia me vajza janë përditshmëri. Në shumë rajone, vajzat dhe femrat nuk guxojnë të dalin kurrë nga shtëpia.

Pjesa më e madhe e femrave martohen në moshën prej 10 deri në 13 vjet. Vdekshmëria e nënave është një prej më të lartave në botë. Një prej 11 femrave afgane vdesin gjatë lindjes.

Edhe nëna e saj desha ta lë Fausian e porsalindur të vdesë. Ajo ishte fëmija i 19-të nga gjithsej 23 fëmijet në familje. Por ausia Kufi mbijetoi dhe sot është një politikane e respektuar në Afganistan.

“Tabutë duhet të thyhen”, thotë kjo 37 vjeçare dhe qeshë. Kufi jeton e vetëm me dy vajzat e saj, në lagjen Karte Sei në Kabul.

Pikërisht tani, klerikët kryesor religjioz të Afganistanit kanë përcaktuar rregulla të reja për sjelljen e femrave, me ç’rast shumë prej ligjeve të reja i ngjasojnë atyre të regjimit të talebanëve: femrat i nënshtrohen meshkujve, ato nuk guxojnë të takohen me meshkuj as në rrugë, as në treg, as në shkolla dhe Universitete dhe nuk guxojnë të hipin në autobusë, nëse nuk janë në përcjellje të ndonjë mashkulli. Presidenti i Afganistanit, Hamid Karzai, i ka mbrojtur këto rregulla, duke i cilësuar si të drejta dhe islamike.

“Rregullat e reja, të imponuara nga udhëheqësit religjioz, janë dritë e gjelbër për talebanizim”, thotë Kufi.

Kufi vjen nga Badakshani, një provincë e largët në veri të Afganistanit. Ajo e di fare mirë se çfarë do të thotë të rritesh në një mjedis konservator. “Vajza duhet të martohet, më thoshin vëllezërit e mi, por nëna ime deshi që unë të shkoi në shkollë”, rrëfen ajo. Badakshani është një version i varfër i Zvicrës. I izoluar nga malet e larta, femrat me barrë nga ky rajon janë të detyruara të ecin nga dy javë, për të shkuar në ndonjë spital për të lindur.

Është kjo provinca, në të cilën lindi edhe Fausia. Atëbotë, askush nuk e dinte se kjo vajzë do të ndiqte gjurmët e të atit të saj dhe të bëhej politikane. I ati i saj kishte qenë deputet, në kohën e mbretit të fundit të Afganistanit. Ai u vra nga muxhahedinët, të cilët luftonin pushtetin e atëhershëm të instaluar nga Bashkimi Sovjetik.

Lufta, konflikti dhe politika janë gjëra të ndërlidhura në jetën e Fausia Kufit: dy vëllezër të saj u vranë gjatë luftës qytetare. Bashkëshorti i saj, Hamidi, u arrestua dhe u dërgua në burg, pas ngritjes në pushtet të talebanëve, në vitin 1996. Ai vdiq më vonë, si pasojë e torturave. Pas vdekjes së bashkëshortit, Kufi u kthye nga Kabuli në Badakshan, rajon ky i cili nuk është kontrolluar kurrë nga talebanët. Aty ajo punoi për OKB-në dhe kujdesej për të zhvendosurit e luftës.

Pas përmbysjes së talebanëve, Kufi u kthye në Kabul dhe vendosi të kandidohet për deputete. Në vitin 2005 u zhvilluan zgjedhjet për parlamentin e ri të Afganistanit. Kufi ishte e mbushur me shpresë:”Në fillim dëshiroja të ndryshoja gjithë botën”, i kujtohet asaj. Por problemet në Afganistan ishin të mëdha.

Tani ajo shpreson më shumë. “Shumë njerëz më njohin. Dëshiroj ta shfrytëzoi këtë, për t’u ngritur në nivelet më të larta. Është një gjë, për të cilën duhet të mendojmë. Ndoshta është koha që Afganistani të ketë një presidente. Meshkujt kanë nxitur trazirat këtu, kryengritjen dhe luftën qytetare. Le të provojmë diçka të re”, thotë ajo.

Kufi shpreson në mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare. Por njëkohësisht, ajo po tenton të joshë dhe të bëhet e pranueshme edhe për qarqet konservatore.

Edhe përkundër gjithë optimizmit të saj, Kufi e sheh me brengë planin e Perëndimit për të tërhequr deri në vitin 2014 të gjitha forcat luftarake nga Afganistani. Ajo nuk beson se negociatat me talebanët mund të vendosin paqe.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›