Mali nuk na ka njohur Kosovën, Pacolli fajëson Ushtrinë
Këmbënguli që njohja ishte e vërtetë, por më në fund është dorëzuar. Zëvendëskryeministri Behxhet Pacolli e pranon se Mali nuk e ka njohur Kosovën, por për këtë fajëson ushtrinë e këtij shteti dhe vetë problemet e brendshme që ka ky shtet.
Nëpërmjet profilit të tij në Facebook, Pacolli ka dhënë sqarimet e tij lidhur me paqartësitë rreth njohjes apo jo të Malit.
“Para disa ditësh, arriti nota verbale e njohjes nga Republika e Malit, e nënshkruar dhe e vulosur nga Presidenca e këtij shteti. Mali, siç e dini ka një qeveri kalimtare, dhe një president kalimtar, ndërkaq autoritet në këtë shtet është edhe ushtria që praktikisht kontrollon pushtetin brenda vendit dhe nuk ka kooperim në lidhje me Kosovën. Unë personalisht Malin e kam vizituar pesë herë prej ku kam marrë premtimin për njohjen e Kosovës.
Problemet e brendshme që ka kjo Republikë kanë krijuar situata të paqarta pas arritjes së notës verbale të njohjes. Në këto momente unë gjendem në rajonin e Afrikës nga ku, kam kuptuar se situata ka ndryshuar pas intervenimit të ushtrisë së Malit në proces. Ne kemi pranuar notën verbale të njohjes dhe si të tillë e kemi publikuar, ndërsa çështjet e brendshme të këtij shteti apo të shteteve të tjera nuk na interesojnë.
Si rrjedhojë ne nuk jemi përgjegjës as nëse këto shtete ndryshojnë qëndrimet e tyre, si rezultat i problemeve të brendshme. Ne Afrike procesi i lobimit po vazhdon, ndërkaq rezultatet e afirmimit të shtetit të Kosovës në arenën ndërkombëtare do të vazhdojnë të vijnë", shkruan ai.