E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maliqi i pozitës dhe opozitës

Eshtë e vërtetë që po jetojmë në një kohë kur vlerat janë në pikën minimale të vlerës së tyre, por mendoj se pas kësaj tatëpjete do të nisë një ngritje, ndryshe, s’kemi ku mbytemi. Eshtë për t’u admiruar zelli i mazhorancës për të bërë një ligj që rregullon gjendjen e atyre që kanë ndërtuar “fshatra turistikë” (që të tillë nuk janë)dhe po aq i admirueshëm pasioni për të bërë ca korrigjime, pasi u pa që kishte pakënaqësi mes atyre që donin të mbeteshin qiraxhinj e jo të detyroheshin nga ligji për t’u bërë pronarë. Të flasësh për hallet e pasanikëve qënka gjë e sikletshme dhe e tillë ishte situata e krijuar në Kuvend. Opozita, - dikur në pushtet nuk bëri asgjë për të ndaluar masakrën e vilave në rërë, - diskutoi sikur vinte nga Hëna e gjeti këtë situatë. Asnjë brerje koshience. Mazhoranca, pa iu dridhur qerpiku, vazhdoi të justifikonte se po rregullonte masakrën e bërë më parë sikur po u rikthente gjelbërimin dhe virgjërinë bregdeteve, ndërsa bëri veç një gjë: fekalet që hidhen në det tani kanë pronarë.
Në të njëjtën ditë opozita u rreshtua krah një medie që lindi si rezultat i aferave korruptive dhe me korrupsion dhe ilegalitet jeton e konkurron. Kush dhe ç’shpresa do t’i japë të ardhmes ligjore të Shqipërisë? Si për shumicën dhe për opozitën ligji vazhdon të shihet akoma me sytë e Maliqit. Maliqi është e kaluara dhe e ardhmja jonë?
(BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›