Murinjo, akuza për komplot:Liga favorizon Barcelonën
SPANJE- Një si Zhoze Murinjo nuk ndryshon asnjëherë. Tema e kalendarit ka qenë sërish në qendër të akuzave të trajnerit të Realit, në prag të ndeshjes së të shtunës ndaj Herkulesit, e vlefshme për javën e 28-të të Primera Divizion. Ideja se skuadra e tij nuk përballet në kushte të njëjta me Barcelonën, duket është kthyer në një fiksim për portugezin, që sërish ka sulmuar Ligën Spanjolle të Futbollit. Reali do të luajë të mërkurën kundër Lionit në Champions League, ndërkohë që të shtunën e ardhshme do të zhvillojë derbin me Atletikon e Madridit. “Nëse duan ta mbyllin kampionatin para kohe, unë i ndihmoj, - deklaroi Murinjo, duke kërcënuar se është gati të grumbullojë futbollistët rezervë. – Duket që nuk veprohet njësoj për të gjithë. Gjithçka është e qartë: një skuadër luan të martën në Champions dhe ndeshjen tjetër e ka të dielën, ndërsa ne do të luajmë të mërkurën ndaj Lionit dhe ndeshjen e radhës pas një jave e kemi të shtunën. Nuk mund të thuhet se garojmë në të njëjtat kushte”, shtoi trajneri portugez. Sipas Murinjos, Reali i Madridit ka shanse të bëjë shplodhë futbollistët vetëm nëse nuk zhvillon fare stërvitje. “Ndoshta për ne do të ishte më mirë të qëndronim në shtëpi dhe të takoheshim 2 orë para ndeshjes dhe të zbrisnim në fushë për të luajtur”, tha tekniku i gjigandëve spanjollë. Në fakt, ka dy javë rresht që Murinjo sulmon Ligën për punën e kalendarit, duke deklaruar se Barcelona po favorizohet haptazi. Reali është 7 pikë larg katalanasve, ndërkohë që kanë mbetur edhe 11 ndeshje për t’u luajtur, përfshi këtu edhe një përballje direkte mes tyre. Në sezonin e shkuar, ishin Roma dhe Milani në shënjestrën e portugezit, kur ai drejtonte Interin. Akuzat për favorizime gjyqtarësh, por edhe ndaj Ligës, ishin të pafundme, sidomos në rastin që Milani kërkoi shtyrjen e ndeshjes në Kupë me Fiorentinën për shkak të impenjimeve të shumta. Gjithsesi, në Spanjë duket se as mediat madrilene si “AS” apo “Marca” nuk janë në krah të Murinjos, pasi Reali është konsideruar gjithnjë si klubi i pushtetit.
(m.a/A. Latifi/BalkanWeb)
(m.a/A. Latifi/BalkanWeb)