E Shtunë, 31 Tetor 2026

Alarmi për veshkat, çdo vit 400 raste të tjera

11/03/2011  Këshillat për trajtimin dhe evidentimin në kohë të problemeve

Komplikacionet kronike të veshkave çojnë drejt sëmundjet kardiovaskulare të parakohshme duke rritur edhe vdekshmëritë

Pranvera Kola

Fatkeqësisht, edhe vendi ynë po përballet me një rritje të frikshme të pacientëve që vuajnë nga sëmundjet e veshkave. Mjekët, lëshojnë alarmin se pjesa dërrmuese e pacientëve e zbulojnë sëmundjen në faza shumë të rënduara, çka e përkeqëson edhe më shumë gjendjen e tyre shëndetësore, duke qenë se avancimi i sëmundjes ndikon edhe në shfaqjen e sëmundjeve të tjera fatale siç janë ato që prekin zemrën. Dje, në ditën botërore të luftës kundër patologjive që prekin veshkat mjekët kanë pohuar se kryerja e ekzaminimeve të hershme si dhe kapja në kohë e këtyre sëmundjeve do të ndihmonte pacientin që të bëj një jetë të shëndetshme, teksa minimizon rrezikun për prekejn edhe nga sëmundjet e zemrës. Sipas të dhënave të deklaruara në vendin tonë çdo vit kemi rreth 400 raste të reja me sëmundje kronike të veshkave, si glomerulonefrite, infeksione të traktit urinar, nefropatia diabetike, kalkuloza renale. Megjithatë rreziqet që paraqesin këto sëmundje janë tepër të rënda jo vetëm për pacientin por edhe për shoqërinë. Alkooli, duhani, por edhe faktorë të tjerë, janë shkaktarët kryesore të shfaqjes te sëmundjeve të veshkave. Grupmosha më e prekur është ajo mbi 50- vjeç, por grupe në risk janë edhe të rinjtë e fëmijët. Kundrejt kësaj situate, kreu i shërbimit të nefrologjisë Nestor Thereska ka deklaruar se së shpejti do të realizohen të tjera transplante të veshkave për rastet më të ndërlikuara.

Situata

“Çdo vit miliona vetë vdesin para kohe nga sëmundjet kardiovaskulare të lidhura me sëmundjet kronike të veshkave. Prezenca e sëmundjeve kronike të veshkave lidhet me rritjen e rrezikut për sëmundje kardiovaskulare dhe nga ana tjetër vdekjet nga sëmundjet kardiovaskulare janë 8 herë më të larta tek pacientët me sëmundje kronike të veshkave. Në vendin tonë çdo vit kemi rreth 400 raste të reja me sëmundje kronike të veshkave, si glomerulonefrite, infeksione të traktit urinar, nefropatia diabetike, kalkuloza renale, etj”, konfirmon specialistja e shëndetit publik Jeta Lakrori. Sëmundjet kronike të veshkave jo vetëm vazhdojnë të rriten në mbarë botën, por edhe po shfaqen në faza mjaft të avancuara. Ato janë cilësuar vrasës të heshtur, mbasi dëmtimi i veshkave ndodh në mënyrë të ngadalshme dhe të fshehtë për një periudhë të gjatë kohore, prej muajsh apo vitesh, çka sjell një diagnostikim të vonshëm të tyre dhe dëmtime të rënda të veshkave; që më pas kërkojnë terapi zëvendësuese të funksionit të tyre apo të vetë veshkave si dializa apo transplanti. “Këto terapi janë invazive dhe jashtëzakonisht të kushtueshme si për buxhetet e kujdesit shëndetësor edhe të familjeve. Pra, sëmundjet kronike të veshkave nuk janë të shërueshme dhe pacienti do të ketë nevojë për përkujdesje për pjesën tjetër të jetës së tij”, shton më tej Lakrori. Bashkangjitur shkrimit do të gjeni të plotë dhe këshillat që specialistja jep për trajtimin e hershëm të këtyrë shqetësimeve.

Komplikacionet

Sipas saj sëmundjet kronike të veshkave shkaktojnë edhe probleme të tjera shëndetësore, shpesh të pavlerësuara, si sëmundjet kardiovaskulare të parakohshme, të cilat japin rritje të sëmundshmërisë e vdekshmërisë dhe kanë kosto të konsiderueshme për kujdesin shëndetësor. “ Ndaj duhet të vëmë theksin tek zbulimi i hershëm i sëmundjeve të veshkave dhe trajtimi i tyre në kohë,mbasi zbulimi i hershëm i sëmundjeve të veshkave do të ishte më kosto-efektivi. Të dhënat e mirë dokumentuara tregojnë se sëmundjet kronike të veshkave kanë kosto të lartë. Secili nga ne, duhet ti kushtojë rëndësi aparatit të tij urinar, duke bërë një kontroll, të paktën një herë në vit dhe kjo është mënyra më e mirë për të parandaluar një sërë sëmundje renale”, bën me dije specialistja e shëndetit publik. Për këtë gjatë ditës së djeshme janë zhvilluar edhe fushata sensibilizimi për të rikujtuar rrezikshmërinë që vijnë nga këto sëmundje. Dita Ndërkombëtare e Veshkave është një fushatë shëndetësore që synon ndërgjegjësimin e njerëzve për rëndësinë e veshkave, si dhe efektet e dëmshme të sëmundjes së veshkave. Veshkat luajnë rol jetik pasi ndikojnë në largimin e toksinave, rregullimin e balancës së ujit dhe elektroliteve në trup.

Edhe fëmijët të prekur

I lartë paraqitet të jetë dhe numri i pacinetëve ë vegjël që vujanë nga sëmundjet e veshkave. Të dhënat tregojnë se në vendin tonë, zyrtarisht pohohet se janë rreth 100 fëmijë që vuajnë nga veshkat. Megjithatë, kjo shifër konsiderohet disa herë më e lartë pasi shumë raste mbeten të paevidentuara. Shefi i pavionit të dializës, Rezar Xhepa, pohon se "Në regjistrin tonë kombëtar për problemet e insuficencës renare kronike figuron një numër që shkon deri mbi 100 të sëmurë të cilët në mënyrë graduale do të shkojnë drejt një insuficence renale terminale që i detyron të futen në dializë. Atëherë ato do të jenë në stadin për të filluar dializën, reparti është i gatshëm që tu ofrohet". Aktualisht shërbimi i dializës i ofrohet falas, të gjithë fëmijëve që janë të regjistruar në regjistrin kombëtar, ndërkohë që edhe transporti për këta pacientë rimbursohet nga shteti.

Shenjat e sëmundjeve të veshkave:

Fillimi i sëmundjes shpesh mund të jetë i heshtur dhe pa shenja të dukshme për pacientin, të cilat ai i konsideron si pjesë të normalitetit të tij të përditshëm.

Ndër shqetësimet më të shpeshta që paraqesin të sëmurët me sëmundje të veshkave mund të përmendim: ndryshime të urinimit, si urinim të shpeshtë (mbi 4-5 herë në ditë), me dhimbje ose djegie, me ngjyrë të kuqe apo të errët, ndryshim të sasisë së urinimit etj.; shfaqje e edemave (ënjtjeve) në: këmbë, duar apo fytyrë

Shqetësime të tjera janë: lodhja, të përziera, të vjella, vështirësi në frymëmarrje, dhimbje mesi.

7 këshillat e arta për parandalimin e sëmundjeve të veshkave:

1. Bëni rregullisht aktivitet fizik. Marrja me aktivitet fizik në mënyrë të moderuar të paktën 30 minuta në ditë në pesë ditë të javës. Aktiviteti fizik zhvillohet duke ecur me ritëm mesatar, vrapuar, duke lëvizur me biçikletë, etj.. Aktiviteti fizik është i rëndësishëm për funksionin e veshkave, pasi përmirëson funksionin e muskujve, ul tensionin e gjakut, kolesterolin në gjak, mban një peshë të shëndetshme të trupit dhe përmirëson gjumin.

2. Kontrolloni rregullisht nivelin e sheqerit në gjak. Gjysma e njerëzve që vuajnë nga sëmundja e sheqerit zhvillojnë dëmtime të veshkave. Pacientet diabetikë duhet të bëjnë një kontroll të rregullt të albuminurisë, të paktën një herë në gjashtë muaj, të mbajnë në normë shifrat e glicemisë dhe të kenë kujdes me dietën.

3. Matni rregullisht tensionin e gjakut. Pak njerëz e dinë se tensioni i lartë i gjakut është një shkaktar i zakonshëm i dëmtimit të veshkave. Pacientët me tension të lartë të gjakut, duhet të mbajnë nën kontroll shifrat e tensionit, të kenë kujdes me dietën dhe aktivitetin fizik, pasi të gjitha këto ngadalësojnë progresionin drejt sëmundjes renale kronike.

4. Ushqehuni shëndetshëm dhe mbani peshën nën kontroll. Ngrënia e shëndetshme parandalon diabetin, sëmundjet e zemrës dhe faktorë të tjerë të lidhur me sëmundjet kronike të veshkave. Çdo ditë përdorni 5 porcione fruta e zarzavate, 5 porcione drithëra, pini jo më pak se 1,5 litra ujë dhe reduktoni marrjen e kripës. Rekomandohet konsumi i jo më shumë se 5-6 gram kripë në ditë, rreth një lugë çaji dhe të shmanget konsumi i ushqimeve të kriposura/përmbajnë shumë kripë.

5. Mos pini duhan. Nikotina dëmton muret e brendshme të enëve të gjakut dhe lejon yndyrat dhe pllakëzat e gjakut që të ngjiten tek to; duke ngadalësuar rrjedhjen e gjakut në veshka dhe dëmtimin e funksionimit të tyre. Duhanpirja rrit rrezikun për kancer të veshkave me 50%.

6. Mos përdorni ilaçe pa konsultën e mjekut. Shumë pacientë, sidomos të moshuarit, bëhen të sëmurë me sëmundje kronike të veshkave pasi përdorin pa kriter apo me shumicë ilaçe anti-inflamatore për të qetësuar dhimbje të ndryshme.

7. Bëni ekzaminime, nëse jeni në rrezik për sëmundje të veshkave, apo keni një ose më shumë faktorë të lartë të rrezikut.

Sëmundjet e veshkave mund të ndodhin tek kushdo, por më të rrezikuar janë:

• Personat mbi 50 vjeç;

• Pacientët që vuajnë nga diabeti;

• Pacientët që vuajnë me tension të lartë të gjakut;

• Njerëzit me një histori familjare të sëmundjeve të veshkave;

• Njerëzit me mbipeshë apo të dhjamosur

• Duhanpirësit.

Rrezikshmëria për sëmundjet të zemrës

Sëmundjet kronike të veshkave shkaktojnë edhe probleme të tjera shëndetësore, shpesh të pavlerësuara, si sëmundjet kardiovaskulare të parakohshme, të cilat japin rritje të sëmundshmërisë e vdekshmërisë dhe kanë kosto të konsiderueshme për kujdesin shëndetësor. “Ndaj duhet të vëmë theksin tek zbulimi i hershëm i sëmundjeve të veshkave dhe trajtimi i tyre në kohë,mbasi zbulimi i hershëm i sëmundjeve të veshkave do të ishte më kosto-efektivi. Të dhënat e mirë dokumentuara tregojnë se sëmundjet kronike të veshkave kanë kosto të lartë. Secili nga ne, duhet ti kushtojë rëndësi aparatit të tij urinar, duke bërë një kontroll, të paktën një herë në vit dhe kjo është mënyra më e mirë për të parandaluar një sërë sëmundje renale”, shprehet specialistja e shëndetit publik Jeta Lakrori.

Kontrollet

Përballë kësaj situate autoritetet shëndetësore apelojnë për kontrolle tek mjeku të paktën një herë në vit, për më tepër kur prezenca e sëmundjeve kronike të veshkave rrit rrezikun për sëmundje kardiovaskulare. Në ditën botërore të luftës kundër patologjive që prekin veshkat, mjekët kanë dhënë dhe një lajm të mirë, rinisjen e transplanteve në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›