Malisheve nje i vrare dhe dy te plagosur

Një person është vrarë dhe dy të tjerë janë plagosur gjatë një përleshjeje me armë zjarri në një lokal nate në Banjë të Malishevës, 50 kilometra në jug-perëndim të Prishtinës.
Policia e Kosovës tha se zënka ka ndodhur gjatë kremtimit të festave të fundvitit dhe në të janë përfshirë një numër personash.
Të paktën 7 veta janë arrestuar dhe policia po heton rastin, motivet e të cilit sipas saj ende nuk janë të njohura.
Lëvizja “Vetëvendosja”, partia e tretë politike në vend, e ka dënuar incidentin dhe ka kërkuar që të mos politizohen problemet personale.
Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë kremtimit të festës së Vitit të Ri, një numër personash janë lënduar nga pakujdesia e përdorimit të fishekzjarreve.