E Shtunë, 31 Tetor 2026

Obama firmos programin per te prekurit e sulmeve te 11 shtatorit

Rreth nëntë vjet pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit, presidenti amerikan Barak Obama, miraton programin e ndihmës për të prekurit nga rrëzimi i kullave binjake. Sipas këtij programi në katër vitet e ardhshme duhet të vihen në dispozicion rreth 4 miliardë dollarë për përkujdesjen mjekësore të forcave të emergjencës dhe personave që vuajnë pasojat e vona të substancave helmuese të lëshuara nga rrënojat e Qendrës Botërore të Tregtisë.

“Nuk do ta harrojmë kurrë kurajon e treguar nga forcat zjarrfikëse, ato të policisë dhe vullnetarëve, të cilët rrezikuan jetën e tyre për të shpëtuar të të tjerëve. Besoj se ky është një hap thelbësor për ata që vazhdojnë të vuajnë shenjat fizike të atyre sulmeve” tha presidenti Obama në një deklaratë për shtyp.

Kongresi amerikan kishte miratuar programin në 22 dhjetor pas një kompromisi me republikanët. Obama e nënshkroi ligjin gjatë pushimeve në Havai. Nga rrëzimi i kullave të Qendrës Botërore të Tregtisë rreth 70.000 vetë ishin të ekspozuar ndaj pluhurit helmues. Rreth 3.000 vetë humbën jetën në këto sulme.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›