Kamza nuk rrezikon, ndaj Tiranës me të rinjtë
Ndonëse ekzistojnë mundësitë për të qëndruar në superligë pa ndeshje shtesë, kamzalinjtë nuk besojnë shumë tek kjo sfidë e fundit
Ndëshkimi i Shkumbinit nga Komisioni i Disiplinës bëri që java e fundit e kampionatit ta ndezë sërish luftën e skuadrave të përfshira për mbijetesë. Pjesë e këtij grupi është edhe Kamza, që para vendimeve të Disiplinës e kishte ndarë mendjen, përqendrim total tek ndeshja shtesë. Duke ditur se Shkumbinit i janë zbritur 6 pikë, Kamza i ka mundësitë matematikore që mbijetesën në superligë ta marrë pa pasur nevojën e play out-it.
Por për drejtuesit e Kamzës, kësaj llogarie nuk i dihet mirë fundi, sepse jo çdo gjë varet nga i ashtuquajturi derbi me Tiranën. Për sfidën me bardheblutë trajneri Mauro De Vekis nuk mund të aktivizojë Sokol Ishkën dhe Ardit Beqirin, që janë të dëmtuar, por edhe katër lojtarë titullarë kanë nga dy kartonë të verdhë, ku në rast se do të ndëshkoheshin ndaj Tiranës, ata do të mungonin në play out.
Të ndodhur përpara kësaj situate, drejtuesit kërkojnë që ndaj Tiranës të hedhin një formacion të rinuar, nga i cili shpresojnë të përfitojnë nga dëshira e këtyre futbollistëve të rinj. Përgatitjet e djeshme të Kamzës e kanë vërtetuar më së miri këtë fakt, prandaj pritet që trajneri De Vekis nga minuta e parë do të hedhë në fushën e lojës disa futbollistë të ekipit U-19.
Që pas barazimit 1-1 me Dinamon, takim i vlefshëm për javën e 20-të, disa futbollistë të rinj janë afruar pranë skuadrës së parë. Sulmuesi Mehmeti, mesfushori Lame dhe mbrojtësi Lika janë aktivizuar në disa ndeshje nga trajneri Mauro De Vekis. Por ndaj Tiranës pritet të ketë debutime të tjera nga radhët e Kamzës U19. Mbase ndaj bardhebluve është radha e Kolecit dhe Dokut, që të hedhin hapin e parë në kategorinë superiore.
Për momentin në kampin kamzali flitet se ndaj Tiranës nuk do të luajnë të gjithë titullarët nga minuta e parë. Por gjërat mund të ndryshojnë deri para fillimit të ndeshjes përmbyllëse të kampionatit, që do të luhet të shtunën, në ora 17:00, në stadiumin Selman Stërmasi.
rej disa ditësh kamzalinjtë po përgatiten në fushën e stadiumit, pasi ata i kanë përfunduar ndeshjet brenda për këtë edicion.Kjo zgjedhje është bërë për të eliminuar dëmtimet, pasi ato kanë qenë të shumta kur janë përgatitur në fushat me bar sintetik të qendrës stërvitore të ekipeve kombëtare.
