E Diel, 1 Nëntor 2026

Malko: Lushnja, e denjë për rezultat pozitiv në Gjirokastër

Nga Julian Kasapi

Trajneri i ri i lushnjarëve, Saimir Malko, kërkon pikë në ndeshjen debutuese

Skuadra lushnjare është dukë u dhënë dorën e fundit përgatitjeve për takimin e nesërm në transfertën e Gjirokastrës, ku e pret Luftëtari vendës. Pas ndërrimit të Baballëkut me Malkon në stolin lushnjar, të gjithë presin më shumë nga skuadra verdhejeshile, që, edhe pse ka në gjirin e saj futbollistë cilësorë, nuk ka mbledhur më shumë se 6 pikë në 5 ndeshjet e deritanishme. Seancat stërvitore kanë vijuar normalisht në stadiumin Roza Haxhiu dhe transferta cilësohet mjaft e rëndërishme.

Malko Trajneri Saimir Malko, në detyrë prej tri ditësh, deklaron mobilizimin e të gjithë faktorëve dhe aktorëve për një ecuri pozitive të Lushnjës. Mbështetja e dhënë nga presidenti Fatos Tushe për trajnerin Malko duhet përligjur, pavarësisht situatës mjaft të vështirë që po kalon skuadra myzeqare. Vetë Malko thekson se po punohet shumë për të marrë më të mirën në Gjirokastër ndaj një rivali të drejtpërdrejtë për superligën.

“Objektivi i Lushnjës mbetet i njëjtë dhe ne duam të bëjmë më të mirën. Skuadra është e mobilizuar dhe më pëlqen një situatë e tillë. Do të shkojmë në ndeshjen me Luftëtarin si një skuadër e denjë për rezultat pozitiv, sepse nuk na mungojnë aftësitë. Megjithatë, mbetet problem për ne riaftësimi i disa futbollistëve kryesorë.

Nuk e kemi ende të qartë nëse ata do të jenë në gjendje të luajnë apo jo. Mbetemi me shpresën se do të riaftësohen si Çela, ashtu edhe Sefa, të cilët janë pika referimi për skuadrën. Gjithsesi, do të punojmë në disa plane, që të mund të mbyllim boshllëqet, nëse ata nuk do tia dalin, – ka thënë mes të tjerash trajneri Malko.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›