E Shtunë, 31 Tetor 2026

Devolli: Luftëtari e respekton Lushnjën, por do ta mundë

Nga  SOKRAT  PAPADHOPULLI

Lideri i ekipit gjirokastrit, Bledar Devolli, thekson se në ndeshjen e së shtunës duhet kujdes maksimal në mbrojtje

Në një ekip futbolli ka për çdo lojtar, në një ndeshje, role dhe detyra të caktuara, ku më delikati është ai i portierit. Në vazhdim, sipas skemës taktike, vijnë mbrojtësit, zakonisht 4, po aq mund të jenë edhe mesfushorët dhe 2 sulmuesit. Por, ndër ta, pavarësisht nga roli, njëri caktohet kapiten dhe dikush tjetër lider. Natyrisht, këta janë ndër më të aftët. Në ekipin e Luftëtarit këtë sezon, pas një turneu 10-vjeçar pothuajse në gjithë superligën, u rikthye mesfushori drastik Bledar Devolli, i cili automatikisht u bë lideri i tij, si personalitet futbollistik që është.

Kapiten është Nertil Stoja, që ndeshjen e parë u ndëshkua me karton të kuq dhe pas apelimit u pezullua për 8 ndeshje, sepse fillimisht iu dha një pezullim prej 24 muajsh. Kështu, Devollit i takoi dhe shiriti i kapitenit, ndërkohë që ai është  rregullatori jo vetëm i lojës shkatërruese, që e ka zanat, por edhe asaj ndërtuese, sepse e do puna.

Pa mohuar rolin e të tjerëve, kur ende për arsye të ndryshme Nora dhe Braho nuk janë shfaqur në tërësinë e tyre, Devolli mbetet truri dhe zemra e ekipit gjirokastrit, që pretendon kthimin në superligë, në të cilën për herë të fundit luajti sezonin 2006-2007.

Luftëtari ndeshjen e javës së 5-të nuk e luajti, kështu që humbi privilegjin që gëzon çdo ekip për të luajtur 2 ndeshje radhazi në fushën e tij, gjë që do ta gëzojë në nëntor, kur do të luajë me Elbasanin më 16 dhe me Ilirinë më 19, nëse nuk do të ketë ndonjë ndryshim tjetër.Tani ky ekip do të presë Lushnjën, që ndodhet më poshtë në renditje. Për objektivin që ka, i duhet fitorja domosdo, sepse humbja e pikëve në fushën e vet i pakëson shanset për suksesin final.

Apeli i Devollit Lojtari first class i Luftëtarit, Bledar Devolli, për ndeshjen e së shtunës me Lushnjën, fanellën e sa cilës e ka veshur, thotë: Për mendimin tim, ndeshja LuftëtariLushnja është e veçantë, sepse luajnë dy ekipe me tradita dhe me emër, që edhe para 1990-ës e pas saj kanë luajtur në superiore për shumë sezone. Tani kërkojnë me ngulm të kthehen në të, ndaj dhe është një ndeshje pothuajse superlige.

Vlerësimi ynë është maksimal, sepse edhe Lushnja ka lojtarë me nivel dhe fanellë me peshë. E respektojmë për vlerat e saj, por ne, të bashkuar dhe në harmoni, aq më tepër që luajmë në fushën tonë, do të luftojmë me të gjitha forcat për 3 pikët. Kemi dy javë që përgatitemi, duke u kujdesur të eliminojnë në maksimum ato defekte, që janë konstatuar në ndeshjet e mëparshme, veçanërisht në ballafaqimin me Besëlidhjen, që i mori pikë edhe Lushnjës.

Lushnja është ekipi më i fortë që vjen në Gjirokastër deri tani dhe duhet bërë kujdes i madh në mbrojtje për të mos pësuar gol, kurse në sulm duhet të shpalosim mundësitë, që ende rrinë të fjetura. Luftëtari këtë sezon i ka kapacitetet për tu përballur me sukses me çdo ekip të kategorisë së parë, ndaj dhe besoj te suksesi në këtë ndeshje dhe në vazhdim.

1 sezon

Ka luajtur Devolli me fanellën e Lushnjës në superligë

10 vjet

shkëputje ka pasur mesfushori gjirokastrit nga ekipi i qytetit të lindjes

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›