Malko: Lushnja premton shumë për fazën e dytë
Trajneri Saimir Malko ka folur me shumë optimizëm para se skuadra të nisej dje drejt Uliqinit, ku do të stërvitet 12 ditë
Skuadra lushnjare është zhvendosur dje në Ulqin të Malit të Zi për të kryer një pjesë të fazës përgatitore të dimrit. Nën drejtimin e trajnerit Saimir Malko, të gjithë futbollistët janë nisur me autobus drejt shtetit fqinj, ku infrastruktura sportive është tepër komode. Lushnjarët kanë bërë në qytetin e tyre pjesën aerobike të fazës përgatitore, ndërsa në Ulqin do të punohet në drejtim të rezistencës dhe teknikës.
Malko Trajneri Sajmir Malko, para nisjes së skuadrës drejt Ulqinit, ka treguar disa nga aspektet e grumbullimit. Me një grup të kompletuar për momentin, ai mendon se Lushnja do të jetë një skuadër pretendente në gjysmën e dytë të sezonit për tu ngjitur në dy vendet e para. Është normale për një skuadër të nivelit tonë, që të grumbullohet për fazës përgatitore të dimrit në një vend, ku mund të punohet më mirë.
Lushnja i ka financat të garantuara, ndaj dhe grumbullimi dotë bëhet në ambiente mjaft të mira. Kemi zgjedhur Ulqinin, sepse aty na përmbushen kërkesat tona për fusha, palestra, si dhe për të luajtur ndonjë ndeshje miqësore me skuadra vendëse. Do të shohim gjendjen e futbollistëve, të cilët e kanë bërë tashmë një pjesë të aerobisë në Lushnjë dhe do të marrim ngarkesat e duhura fizike.
Do të qëndrojmë 12 ditë dhe mendoj se është një periudhë e mjaftueshme për misionin tonë, – ka thënë fillimisht trajneri Malko. Më tej, i pyetur për ndonjë përforcim tjetër të Lushnjës, ai është përgjigjur: Kemi afruar një futbollit cilësor, siç është Erion Xhafa, ndërkohë që kemi larguar Mërtirin, sepse mbrojtja është e mbipopulluar.
Shpresojmë që të na kthehen futbollistët e dëmtuar, me në krye kapitenin Çela, për ta pasur skuadrën të kompletuar skuadrën. Kjo Lushnjë premton për gjysmën e mbetur të sezonit, ku kemi synimet tona për kalimin direkt në superligë dhe jemi seriozë në punën që bëjmë. Pas 12 ditësh pune intensive në Ulqin, Lushnja do ta përfundojë fazën përgatitore të dimrit në qytet, ndërkohë që fazën e dytë e nis me një ndeshje në transfertë, në Mamurras.
