Licencat, edhe në Kosovë
Trajnerët kosovarë të futbollit me gjasë më nuk do të kenë nevojë të udhëtojnë drejt shteteve tjera për t’u pajisur me licenca të UEFA-s, siç bënin deri më tani.
Një gjë të tillë ata tash e tutje do të mund ta bëjnë edhe në Kosovë. Dhe për këtë trajnerët kosovarë duhet t’i falënderohen Federatës së Futbollit të Gjermanisë (DFB).
Kjo pasi shtëpia e futbollit gjerman ka vendosur t’i dërgojë në Prishtinë disa instruktorë të saj për t’i pajisur trajnerët kosovarë me licenca C të UEFA-s.
Lajmi është bërë i ditur të mërkurën nëpërmjet një komunikate për media të lëshuar nga FFK-ja, në të cilën theksohet se kjo ka ardhur si rrjedhojë e bashkëpunimit të shkëlqyeshëm mes dy federatave, fal takimeve që kreu i futbollit kosovar Fadil Vokrri i pat zhvilluar kohë më parë me krerët më të lartë të DFB-së.
“Kësisoj, Federata Gjermane e Futbollit (DFB) do të dërgojë instruktorë të futbollit për licencimin e trajnerëve të futbollit nga Kosova me shkallën e parë të UEFA-së”, thuhet në komunikatë.
Mirëpo, ende nuk dihet se kurë do të zbarkojnë instruktorët gjermanë në Kosovë. “Për detajet tjera do të merren vesh FFK-ja dhe DFB-ja lidhur me kohën, përbërjen dhe vendin e mbajtjes së licencimit. Shkollimi do të mbahet në Kosovë dhe kjo me gjasë do të bëhet para Kampionatit Evropian. Secili klub do të ketë mundësi ta dërgojë nga një trajner të grupmoshave të reja të tyre”, tha sekretari FFK-së, Eroll Salihu.
Deri më tani trajnerët kosovarë detyroheshin të udhëtonin nëpër shtete tjera si në Maqedoni, Shqipëri e Bosnje, për t’u pajisur me licenca të UEFA-s, pasi FFK-ja ende nuk është anëtare e FIFA-s dhe UEFA-s.
Rasti i fundit ishte në vitin 2010, kur 20 trajnerë kosovarë u trajnuan në Shqipëri dhe më pas ata u pajisën me licenca A të UEFA-s.