E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhaka mbetet në Basel

Granit Xhaka do të luajë në Basel së paku deri në fund të këtij sezoni. Për këtë kanë siguruar drejtuesit e klubit zviceran, të cilët ishin në bisedimet me Hamburgun, që e donte 19 vjeçarin në Gjermani qysh në janar. Mirëpo, në fund udhëheqësit e kampionit zviceran vendosën që të llogarisin në talentin kosovar edhe gjashtë muaj, për t’i shqyrtuar më pas mundësitë që i arrijnë.

“Natyrisht, për çdo lojtar ka limit, por këtë sezon planifikojmë që t’i mbajmë të gjithë lojtarët, përfshirë këtu edhe Xhakën. Hamburgu ma ka konfirmuar se e do lojtarin që në janar. Por, interesimin e këtij ekipi mund ta marrim në konsideratë vetëm në fund të sezonit”, deklaroi drejtori sportiv i Baselit, George Heitz.

As trajneri i Baselit, Heiko Vogel, nuk beson se ky transferim do të realizohet në janar. “Kjo do të ishte e ngutshme. Ne planifikojmë që ta kemi në ekip Granitin së paku deri në fund të sezonit. Por, për t’u marrë me të ardhmen e tij merret dikush tjetër”, deklaroi ai. Xhaka ka shënuar gol në stërvitjen e Marbellas, duke ia vërtetuar edhe një herë cilësitë e tij trajnerit të Hamburgut, Thorsten Fink, i cili ishte i pranishëm në këtë stërvitje.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›