Marsid Dushku, përforcimi i parë i Elbasanit
Marsid Dushku është emri më i ri tek Elbasani. Ai vjen nga skuadra e Gramshit, ku gjatë fazës së parë ka qenë titullar i padiskutueshëm dhe ka bërë një paraqitje të mirë. Dushku shihet si një blerje e goditur për verdheblutë, pasi reparti i mbrojtjes për momentin ka probleme, pas dëmtimeve të Aldo Bellës dhe Mardian Kacolles, të cilët nuk dihet ende kur do të jenë të gatshëm për stafin teknik.
Dushku është përforcimi i parë dhe gjatë ditëve në vazhdim pritet të mësohen edhe emrat të tjerë, që do të veshin fanellën e Elbasanit fazën e dytë. Trajneri File e ka të plotë grupin e futbollistëve në seancat që po zhvillon në kompleksin Shefqet Lamçja dhe është i kënaqur me këtë fakt. Por stafi teknik verdheblu pret që drejtuesit të bëjnë një merkato serioze për të forcuar të tri repartet.
Numri 2 i stolit elbasanas, Muharrem Dosti, pohon se vetëm porta është në rregull për momentin, pasi ekipi ka dy portierë mjaft të mirë. Mendoj se porta është i vetmi repart, që nuk ka nevojë për ndërhyrje. Kemi dy portierë mjaft të mirë, Irakli Toçin dhe Shkëlzen Ruçin, të cilët po stërviten shumë për ta rritur nivelin e tyre.
Madje, jemi në vështirësi për të zgjedhur titullarin, shprehet ndihmëstrajneri Dosti, i cili vlerëson edhe dy portierët e ekipive zinxhir të Elbasanit. Sipas tij, portierët Alfred Gurra dhe Donald Balukja, të ekipeve U-19 dhe U-17, janë me të ardhme dhe duhen mbështetur.
