E Diel, 1 Nëntor 2026

Malmstrom: BE ka identifikuar arritjet e qeverisë, forcat parlamentare të votojnë kriteret e KE-së

07-11-2012 / Gazeta 55

Kryeministri Berisha pret Komisioneren Europiane për Çështjet e Brendshme, Cecilia Malmstrom
 
Kryeministri siguroi Komisioneren Europiane për Çështjet e Brendshme, se qeveria do të bëjë gjithçka për një proces të zgjedhor të lirë e të ndershëm, duke shprehur besimin se me Kodin Elektoral konsensual, i cili ka trajtuar rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe me vullnetin e fortë të të gjithë forcave politike procesi i ardhshëm zgjedhor do të plotësojë të gjitha  standardet ndërkombëtare për zgjedhjet. Në këtë kontekst, qeveria shqiptare ka kërkuar dërgimin e një numri sa më të madh të vëzhguesve të zgjedhjeve.

Komisionerja Europiane për Çështjet e Brendshme, Cecilia Malmstrom ka vlerësuar dje arritjet e rëndësishme të qeverisë, të cilat saj janë identifikuar edhe nga Bashkimi Europian dhe janë reflektuar edhe në raportin që Komisioni Europian publikoi për Shqipërinë. Në këtë kontekst, Komisionerja Malstrom apeloi për miratimin e tre ligjeve të kërkuara në raportin e Komisionit Europian, si kushte për integrimin në BE, bashkë edhe me ripërsëritjen e thirrjes se duhet të japin kontributin e tyre të gjitha forcat politike në parlament.
Këto vlerësime Komisionerja Europiane për Çështjet e Brendshme, Cecilia Malmstrom i bëri gjatë një takimi që zhvilloi dje me Kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha.
Në këtë takim, pasi i uroi përzemërsisht mirëseardhjen, Kryeministri Sali Berisha e falënderoi Komisioneren Malmstrom për mbështetjen e vazhdueshme që Komisioni Europian dhe ajo personalisht i kanë dhënë Shqipërisë gjatë kësaj periudhe. Kryeministri i shprehu gjithashtu falënderimet, për përzgjedhjen e Tiranës, për organizimin e takimit të Ministrave të Brendshëm dhe të Drejtësisë të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Nga ana e saj, Komisionerja Malmstrom e falënderoi Kryeministrin për pritjen dhe e informoi atë për suksesin e vizitës së saj në Tiranë. Ajo rikonfirmoi mbështetjen e plotë të Komisionit Europian në të gjitha përpjekjet e Shqipërisë, për të ecur me shpejtësi në hapat e mëtejshëm të integrimit europian.
Kryeministri Berisha e njohu Komisioneren Malmstrom me përpjekjet, reformat e mëdha dhe arritjet e qeverisë në luftën kundër krimit, korrupsionit, në dixhitalizimin e procedurave dhe rritjen e transparencës, në arritjet e rëndësishme për sa i përket shtetit ligjor, por edhe në fushën  ekonomike, ku Shqipëria është një ndër vendet e pakta që nuk hyri në recesion. Në takim u vlerësua edhe vazhdimësia e procesit të reformës në drejtësi, por edhe arritjet e rëndësishme të policisë shqiptare në luftën kundër krimit të organizuar, gjatë kësaj periudhe.
Komisionerja Malmstrom, duke e falënderuar Kryeministrin Berisha për ekspozenë, i pohoi se arritjet e rëndësishme gjatë kësaj periudhe janë identifikuar dhe vlerësuar nga Bashkimi Europian dhe janë reflektuar edhe në raportin që Komisioni Europian publikoi për Shqipërinë, duke rekomanduar edhe statusin e vendit kandidat, pas miratimit të tre akteve ligjore që kërkojnë shumicë të cilësuar në parlament. Në këtë kontekst, Komisionerja Malstrom vlerësoi se për miratimin e ligjeve të lidhura me integrimin, përfshi edhe tre ligjet e kërkuara në raportin e Komisionit Europian, duhet të japin kontributin e tyre të gjitha forcat politike në parlament, pasi miratimi i tyre nuk i shërben vetëm qeverisë, por qytetarëve shqiptarë dhe projektit të tyre të integrimit në Bashkimin Europian.
Kryeministri Berisha, duke e falënderuar për mbështetjen që Komisionerja Malmstrom dëshmon ndaj Shqipërisë, e siguroi se qeveria shqiptare mbetet plotësisht e vendosur për të bashkëpunuar ngushtë me Komisionin dhe vendet anëtare të BE-së, për të gjitha reformat e rëndësishme, të cilat do të përshpejtojnë ecjen përpara drejt anëtarësimit në BE, por njëkohësisht e bëjnë jetën e të ardhmen e qytetarëve shqiptarë edhe më të mirë e më të sigurt.
Kryeministri Berisha siguroi gjithashtu, se qeveria do të bëjë gjithçka për një proces të zgjedhor të lirë e të ndershëm, duke shprehur besimin se me Kodin Elektoral konsensual, i cili ka trajtuar rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe me vullnetin e fortë të të gjithë forcave politike procesi i ardhshëm zgjedhor do të plotësojë të gjitha  standardet ndërkombëtare për zgjedhjet. Në këtë kontekst, qeveria shqiptare ka kërkuar dërgimin e një numri sa më të madh të vëzhguesve të zgjedhjeve.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›