“ǒmë duhet mua se ç’bëj unë”

Bamir Topi si Shvejku:
Ish-presidenti Bamir Topi pas “zhveshjes” së mantelit të “mbi palëve” dhe për më tepër pas “rikthimit” në politikën aktive, po demonstron sërish atë që ai di të bëjë më mirë..., mungesën e koherencës, për të mos thënë që po demonstron tipin, “që kur harron nuk mban mend”.
Në qoftë se Jaroslav Hashek, autori i “Ushtari i mirë Shvejk”, do të kishte njohur Bamir Topin para se “të njihte” Shvejkun, frazën emblematike “ç’më duhet mua se ç’bëj unë”, nuk do të ngurronte t’ia vinte në gojë ish-presidentit, kryetar të partisë së Oketës, Bamir Topit.
E meriton Bamir Topi këtë “nder”.
Jo vetëm kaq, por “i ka bërë vend vetes” për një “meritë” të tillë...
Pasi ju “rikthye” karrierës së politikës aktive, me kafe, dreka e darka me “themeluesit” e FRD-së, vijoi me “sulmet” ndaj kreut të mazhorancës Sali Berisha... Me kreun e opozitës nuk ka punë... Me këto “sulme” të tipit “kur harron nuk mban mend”, e ka shndërruar veten në një “konkurrent të denjë” të Shvejkut...
Për “konfirmimin” e këtij “konstatimi” por edhe në respekt të kronologjisë, kujtojmë se, rreth katër muaj më parë, nga studio e “Top Story” të TV “Top Channel”, Bamir Topi deklaronte se, “Sali Berisha, donte të më largonte nga PD-ja ndaj më bëri president”.
Një kjo...
E dyta...
Rreth dy muaj më parë, nga studioja e TV “Ora News” deklaronte se, “Sali Berisha, nuk kishte shans të më bënte presion”.
Dhe e treta...
Thagma e radhës u artikulua dje prej Bamir Topit, sërish publikisht, por jo në ndonjë studio të veçantë televizive, por para disa kamera televizionesh, në një bashkëbisedim me studentët e UET-së.
“Sali Berisha, më bënte presion, kur isha kreu i shtetit”..., deklaronte dje vajtueshëm Bamir Topi.
Ndërsa dëgjoje dje ish-presidentin të “ankohej” në këtë “farë mënyre”, keqardhja, mëshira, bashkë edhe me neverinë plekseshin me njëra-tjetrën..., jo aq pse Bamir Topi “paska shpëtuar paq” nga koha në presidencë, por sepse zgjedh të bëjë “qaramanin e radhës”, tashmë kur i kanë mbetur në duar “vetëm çelësat e kashtës”...
Megjithatë, në mënyrë këmbëngulëse për një gjë Bamir Topi do të na bënte “të ndjeheshim krenarë”... Gjithmonë në qoftë se..., ai me “luftën” dhe “argumentet” e tij politike, të tipit “më larguan – s’më larguan”, “më bënë presion – s’më bënë presion” në një supozim të mundshëm do t’i rrëmbente nga goja frazën embelamtike Shvejkut “ç’më duhet mua se ç’bëj unë”... dhe do ta bënte të tijën...
Kaq vlera të mundshme ish-presidenti i ka...
Për më shumë të presim..., se çfarë ai nuk do të mbajë mend çfarë ka thënë dhe se çfarë do të harrojë, e do të thotë ndryshe nga çfarë ka thënë...