E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nëpër ditët e Presidencës shqiptare së Këshillit të Evropës

07-11-2012 / Nga Odise Plaku

Plot gjashtë muaj më parë, Shqipëria mbajti në duart e saj çelësin e presidencës së radhës së KiE-së, akt i cili ndodhte pas gati 17 vitesh anëtarësimi në këtë organizatë të rëndësishme pan-evropiane. Ky proces u cilësua me të drejtë si një moment historik për Shqipërinë, për t’i dhënë vendit tonë mundësinë e madhe për të kontribuar në shtimin dhe forcimin e vlerave evropiane. Plus kësaj, kjo ngjarje ndodhi në një vit jubilar dhe me shumë peshë për historinë kombëtare, 100 vjetorin e shpalljes së pavarësisë së vendit tonë. Që në fillim të marrjes së presidencës Shqipëria shprehu qartë dhe filloi fuqishëm të tregojë vullneti e saj në drejtim të promovimit të vlerave themelore dhe në atë të realizimit të prioriteteve kryesore të veprimtarisë së Këshillit të Evropës.
Shqipëria u paraqit në Këshillin e Evropës me një agjendë të hartuar me kujdes, me prioritete dhe objektiva të mirëpërcaktuara për gjashtëmujorin e presidencës së saj. “Të jetojmë së bashku-të harmonizojmë diversitetin dhe lirinë në Evropën e shekullit të 21-të”, kjo ishte motoja e punës së Shqipërisë gjatë muajve të presidencës shqiptare të Këshillit të Evropës.
Gjatë kësaj periudhe  u shfaq angazhimi maksimal për të qenë mbështetëse e plotë e përpjekjeve të Sekretarit të Përgjithshëm dhe të Personave të Shquar si dhe punën e kryesive paraardhëse për vënien në jetë të disa prej rekomandimeve të rëndësishme të raportit si: roli i dialogut kulturor, edukimit dhe rinisë, promovimi i dimensionit fetar dhe dialogut ndërkulturor parandalimi i krimeve kundër njerëzimit dhe transmetimi i memories së Holokaustit, të mbështetim aspiratat demokratike dhe lëvizjet popullore në vendet e Afrikës së Veriut dhe të Mesdheut duke fuqizuar dialogun dhe bashkëpunimin e organizatës me to.
Gjatë ceremonisë së organizuar në Tiranë me rastin e marrjes së kësaj presidence kryeministri Sali Berisha  u shpreh se kjo është një ditë historike, sepse vjen si margaritar i vërtetë në 100 vjetorin e pavarësisë së vendit, vend i cili 100 vjet më parë luhatej në alternativën të jetë a të mos jetë dhe sot, pas 100 vitesh, kryeson komunitetin e kombeve demokratike, në tempullin e demokracisë evropiane, Këshillin e Evropës. Kryeministri do të siguronte dhe një herë  se Shqipëria do të ketë një bashkëpunim shumë të ngushtë me Këshillin e Evropës, me qeverinë britanike që dorëzoi çelësin, me Asamblenë Parlamentare, me vendet e tjera mike, në mënyrë që të përmbushë me dinjitet të plotë dhe përgjegjësi të madhe detyrimet e kësaj kryesie. Shumë kush e ka cilësuar këtë marrje presidence si një rrjedhë alfabetike, ndërsa kreu i qeverisë shqiptare Sali Berisha do ta cilësonte si një shpërblim i merituar i përpjekjeve të tyre të mëdha për të ndërtuar demokracinë e bazuar në vlerat e tregut.
Sigurisht që në ceremoni të tilla nuk mund të mbetet pa u shprehur mirënjohja ndaj Këshillit të Evropës që i kanë dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve, këto 20 vite, një ndihmë të jashtëzakonshme, pa të cilën kjo ngjarje historike nuk do të mund të ndodhte. Por padyshim që edhe për kreun e qeverisë shqiptare z. Berisha kjo presidencë e radhës do të thotë një përkushtim akoma më i madh për të përmbushur me dinjitet të plotë dhe përgjegjësi të madhe detyrimet e kësaj kryesie. “Ne jemi një komb i vogël, por në vetvete ne kemi edhe vlera me të cilat mund të paraqitemi dhe ndikojmë pozitivisht kudo. Shqiptarët janë një komb plurireligjoz dhe kanë një harmoni fetare, tolerancë dhe respekt ndër më të përsosurit që ekziston. Ne jemi dëshmi e asaj se besimet fetare nuk i ndajnë njerëzit dhe do përpiqemi që këtë mesazh ta përcjellim kudo në Evropë dhe është e dobishme ta përcjellim si mesazh tek vendet e “Pranverës Arabe”, të cilat kam bindjen më të thellë se do të kenë në KiE-së, në rast se ato duan, një institucion shumë të çmuar në përpjekjet e tyre për ndërtimin e sistemeve të tyre demokratike. Këto vende kanë përjetuar diktatura të egra, por në dallim nga vendet tona, ato kanë nevojë për modele, kanë nevojë për mbështetje të institucioneve, ashtu siç jemi mbështetur ne”,- do të theksonte kreu i qeverisë shqiptare z. Sali Berisha në ceremoninë e zhvilluar me këtë rast në mjediset e Ministrisë së Punëve të Jashtme.
Në këtë hark kohor janë organizuar një sërë aktivitetesh me rëndësi jetike dhe tepër domethënëse, mbështetur dhe në programin e hartuar për këtë qëllim.
Vetëm dy ditë pas marrjes së presidencës, në Tiranë u mbajtën punimet e Byrosë së Asamblesë Parlamentare të KiE-së në të cilën u paraqitën prioritetet e kryesisë shqiptare të Komitetit të Ministrave të organizatës. Ndër të tjera u theksua r?nd?sia e veçant? e dimensionit parlamentar t? KiE-s? n? forcimin e institucioneve demokratike, promovimin e pluralizmit politik dhe respektin për të drejtat e njeriut dhe shtetit të së drejtës. U vlerësua kontributi i ofruar nga Asambleja në drejtimin dhe forcimin e procesit të demokratizimit në vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore, përfshirë Shqipërinë. Punimet e takimit të Komitetit të Përhershëm të Asamblesë parlamentare të Këshillit të Evropës, u mbajtën për herë të parë në Tiranë, me rastin e marrjes së Presidencës së KiE-së nga Shqipëria.
Në Konferencën Ndërkombëtare me temë “Roli i decentralizimit dhe konsolidimit të demokracisë në Shqipëri dhe integrimi evropian”  e ndarë në 6 sesione tematike: mbi decentralizimin, të drejtat e njeriut, bashkëpunimin ndërkufitar, demokratizimin, qeverisjen e mirë lokale dhe zhvillimin rajonal, u theksua fakti se  Shqipëria, në rolin e kryesueses së Presidencës ka pasur si qëllim kryesor përmbushjen me sukses të programit të përbashkët të aktiviteteve, në bashkëpunim me Këshillin e Evropës dhe, kryesisht, me Kongresin Evropian të Autoriteteve Vendore e Rajonale. Presidenca shqiptare i kushtoi një rëndësi të veçantë zhvillimit të mëtejshëm të demokracisë lokale e rajonale, që konsiderohet si elementë kyç në konsolidimin e plotë të demokracisë. Duke bërë një përmbledhje të arritjeve të Shqipërisë gjatë kësaj Presidence, në drejtim të përmbushjes së prioritetit të demokracisë lokale, është qëndruar në  kontributin që lidhet  me promovimin e të drejtave të njeriut në nivel lokal dhe rritjen e ndërgjegjësimit të të zgjedhurve vendorë; pjesëmarrjen e qytetarëve në vendimmarrjen në nivel lokal e rajonal; konsolidimin e procesit të rajonalizimit, si një instrument efikas që na ofron me politikat komunitare të BE; qeverisjen e mirë dhe modernizimin administrativ, në nivel lokal;rritjen e rolit të të zgjedhurve vendorë në garantimin e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik në nivel lokal e rajonal”. "Garantimi i efektshmërisë afatgjatë të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut në nivel kombëtar" ishte tema e diskutuar në Tiranë nën udhëheqjen e Kryesisë shqiptare të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës. Seminari u fokusua  mbi aspekte të caktuara të zbatimit të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në nivel kombëtar, në vijim të Konferencës së  Brighton-it. Seminari bashkoi agjentët qeveritarë nga shtetet anëtare të Këshillit të Evropës dhe përfaqësuesit e Gjykatave të Larta, si dhe përfaqësues nga organizatat ndërkombëtare joqeveritare. Aty u theksua nevoja për krijimin e një dialogu të ndershëm, fleksibël dhe të hapur mes Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe Shteteve Palë, për të arritur një zbatim efikas të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Rezultatet e këtij seminari do të shqyrtohen nga Komiteti Drejtues për të Drejtat e Njeriut, me qëllim përpunimin e mëtejshëm të politikave për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe reformën e Gjykatës Evropiane. Në morinë e aktiviteteve të zhvilluara, Ministri i Punëve të Jashtme Edmodn Panariti, në cilësinë e tij si Kryetar i Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, në punimet e Sesionit të Vjeshtës së Asamblesë Parlamentare të OSBE-së vuri  në dukje fushat ku bashkëpunimi ndërmjet dy organizatave mund të forcohet. Në veçanti, ai iu referua realizimit të një Komuniteti Sigurie Euro-Atlantik të bazuar në vlerat universale të demokracisë dhe shtetit të së drejtës; nevojës për të forcuar bashkëpunimin dhe ndihmën për vendet e Mesdheut në tranzicion demokratik; rëndësisë së bashkëpunimit të mëtejshëm në lidhje me mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut, ndërsa ruajmë përputhshmëritë dhe shmangim mbivendosjet dhe promovimit të dialogut ndërkulturor, tolerancës dhe mosdiskriminimit. Ministri Panariti theksoi se këto katër fusha përbëjnë një bazë solide për forcimin e sigurisë dhe stabilitetit në rajonin Euro-Atlantik.
Shumë interesante ishte takimi me temë: “Të marrim përgjegjësitë për Evropën e së nesërmes: Roli i të rinjve në dimensionin fetar të dialogut ndërkulturor” që organizoi Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Në këtë takim morën pjesë  rreth 80 përfaqësues nga vende të ndryshme të Evropës, përfaqësues të lartë të Komuniteteve fetare si dhe përfaqësues nga organizatat rinore në vendin tonë. Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve Aldo Bumçi ndër të tjera shtoi se Shqipëria është një model i shkëlqyer i harmonisë dhe bashkëjetesës fetare dhe ne kemi se çfarë ti tregojmë botës në këtë drejtim. Ministri Bumçi ka theksuar se është e rëndësishme që të rinjtë të përfshihen në këtë debat, debat i brezave që e kanë ndërtuar Evropën dhe që do ta ndërtojnë atë.
Po me vlera ishte dhe mbajtja në Tiranë e Konferencës Rajonale mbi të Drejtat e Fëmijëve me pjesëmarrje të përfaqësuesve nga vendet e Evropës Juglindore
Kjo konferencë organizohej në kuadër të Presidencës shqiptare të Këshillit të Evropës dhe vitit të Janusz Korczak, polakut hebre parimet e të cilit mbi dinjitetin dhe të drejtat e fëmijëve janë në themelet e Konventës mbi të Drejtat e Fëmijës - miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në 1989. Gjatë Konferencës përfaqësues dhe eksperte nga vendet e Rajonit të Evropës Juglindore diskutuan dhe ndanë eksperiencat e vendeve të tyre në promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve gjatë procesit të ndryshimeve demokratike të ndodhura në këto vende në dy dekadat e fundit. Gjatë Konferencës në tre panele të fokusuara tek “Sistemi institucional dhe ligjor për mbrojtjen e fëmijëve nga dhuna dhe drejtësia për të mitur”, “Mbrojtja sociale për fëmijët kryesisht të minoritetit dhe me aftësi të kufizuara” dhe “Edukimi dhe respektimi i opinionit të fëmijëve”, përfaqësues dhe ekspertë nga të gjitha vendet pjesëmarrëse ndanë eksperiencat pozitive dhe sfidat në fushën e garantimit të të drejtave të njeriut.
Në këtë konferencë Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Znj.Jozefina Topalli u ndal në jetën dhe veprën e Janusz Korczak, i cili në mbrojtje të jetës së 200 fëmijëve hebrenj, gjatë Luftës së Dytë Botërore, përfundoi së bashku me ta në kampin e shfarosjes Treblinka. Znj.Topalli vuri në dukje se jeta dhe vepra e pedagogut, pediatrit dhe shkrimtarit Korczak, i cili braktisi gjithçka për të mbrojtur 200 fëmijët e jetimores që drejtonte duhet të shërbejë si shembull frymëzimi për të gjithë, institucionet, shoqërinë dhe individin. Kryeparlamentarja u bëri thirrje të gjithë të pranishmëve që të drejtat e fëmijëve t’i vendosin mbi gjithçka dhe të bëjnë më të mirën për të garantuar të drejtat e fëmijëve në të gjitha vendet.
Por një nga zhvillimet më pikante të harkut kohor të drejtimit nga Shqipëria të Presidencës së Këshillit të Ministrave të KiE-së ishte vizita në Tunizi e kryetarit të kësaj presidence Ministrit të Punëve të Jashtme Edmond Panariti i bashkëshoqëruar nga Presidenti i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Jean-Claude Mignon. Ajo është vlerësuar si një iniciativë e rëndësishme në kuadrin e Presidencës shqiptare që synon nga njëra anë mbështetjen e zhvillimeve demokratike në Tunizi dhe në vendet e tjera të Afrikës Veriore pas “Pranverës Arabe”, dhe nga ana tjetër forcimin e bashkëpunimit dhe koordinimit mes Komitetit te Ministrave dhe Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Presidenti i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, Jean-Claude Mignon, e cilësoi si mjaft dinjitoze Presidencën shqiptare dhe objektivat që ajo ka arritur nën moton “Të Bashkuar në Diversitet”. Në takimet e zhvilluara me përfaqësues të lartë të Tunizisë është theksuar se interesat e Evropës dhe ato të rajoneve fqinje siç është rajoni i Mesdheut janë të lidhura ngushtësisht me njëra-tjetrën. Suksesi i tranzicionit demokratik në Tunizi dhe i vendeve të tjera të këtij rajoni kanë vlerë jetësore për stabilitetin dhe prosperitetin e të gjithë Mesdheut. Ministri Panariti përshëndeti reformat e ndërmarra nga autoritetet tuniziane në drejtim të konsolidimit të institucioneve demokratike, shtetit të së drejtës, mbrojtjes dhe respektimit të lirive dhe të drejtave njeriut dhe hartimit të Kushtetutës së re tuniziane. Ai përshëndeti bashkëpunimin e mirë që është vendosur mes Këshillit të Evropës dhe Tunizisë dhe nënvizoi se Këshilli i Ministrave i kryesuar prej tij do t’i japë autoriteteve tuniziane çdo lloj asistence që do të nevojitet për realizimin e reformave demokratike. E planifikuar si vizitë dy ditore në Tunizi, Ministri i Punëve të Jashtme dhe njëkohësisht President i Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, z. Edmond Panariti, zhvilloi takime me zyrtarët më të lartë të shtetit tunizian, Presidentin, Kryeministrin dhe Ministrin e Jashtëm. Në këto takime ai shoqërohej nga Presidenti i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, z. Jean-Claude Mignon, dhe Presidenti i Komisionit të Venecias, Gianni Buquicchio. Në takimin me Kryeministrin, z. Hammadi Hebali, Ministri Panariti përshëndeti zhvillimet pozitive në vend të cilat erdhën si pasojë e revolucionit demokratik, që filloi në Tunizi dhe u përhap në vende të tjera të Afrikës së Veriut, duke marrë emrin “Pranvera Arabe”. Ai theksoi domosdoshmërinë e përshpejtimit të reformave në vend që kanë si synim konsolidimin e institucioneve demokratike, miratimin e legjislacionit sipas standardeve më të përparuara, mbrojtjen dhe promovimin e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut, si ato individuale ashtu dhe kolektive. Në këtë drejtim ai u ndal posaçërisht tek nevoja e miratimit të një kushtetute të hartuar mbi kontribute gjithëpërfshirëse që reflektojë interesat dhe aspiratat e popullit tunizian bazuar në parimin e ndarjes së pushteteve dhe sanksionimin e lirive dhe të drejtave të njeriut. Organizimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme parlamentare vitin e ardhshëm në Tunizi do të ishte prova më të rëndësishme të demokracisë në vend. Ministri Panariti tha se vjen nga një vend që ka përjetuar një të kaluar totalitare dhe se mirëkupton sfidat e shoqërisë tuniziane. Shqipëria dhe të gjithë vendet anëtare të Këshillit të Evropës mbështesin fuqimisht një Tunizi demokratike dhe moderne, duke ruajtur njëkohësisht identitetin e saj në familjen e madhe të kombeve. Në takimin me Presidentin tunizian, Moncef Marzouki, Ministri Panariti konfirmoi mbështetjen që Këshilli i Europës dhe 47 vendet anëtare të tij i japin zhvillimeve demokratike në Tunizi. Ai tha se e gjithë bota demokratike i ka sytë tek Tunizia e cila nisi valën e proceseve demokratike në Afrikën Veriore të cilat rrëzuan regjimet totalitare në këto vende. Por Këshilli i Europës i kushton një rëndësi të veçantë mbrojtjes dhe respektimit të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut ndaj shtroi nevojën që në kushtetutën e re tuniziane që është në procesin e hartimit ato të zënë një vend të veçantë. Ministri Panariti tha se edhe Shqipëria, e cila ka pasur një të kaluar totalitare, ka ende sfida të mëdha përpara që lidhen me zhvillimin ekonomik të vendit, konsolidimin e shtetit të së drejtës dhe objektivin madhor, integrimin në Bashkimin Evropian. Ai inkurajoi në emër të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës që Tunizia të hartojë një kushtetutë demokratike dhe të realizojë zgjedhje të lira dhe të ndershme vitin e ardhshëm. “Ne dëshirojmë që Tunizia, ashtu siç nisi valën e ndryshimeve demokratike në Afrikën Veriore, të bëhet një model i demokracisë në rajon”.
Në fillim të tetorit, Ministri i Jashtëm, në cilësinë e presidentit të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, raportoi përpara parlamentarëve të 47 vendeve anëtare mbi aktivitetin e Komitetit të Ministrave, si dhe mbi ecurinë e implementimit të prioriteteve të kryesisë shqiptare të KiE-së. Duke rikujtuar se Kryesia e Shqipërisë nën moton "Të bashkuar në diversitet," është duke u përqendruar, ndër prioritetet e tjera edhe në promovimin e shoqërive të qëndrueshme demokratike, ministri Panariti iu referua edhe "Shkëmbimit 2012 në dimensionin fetar të dialogut ndërkulturor" që u mbajt në Durrës në fillim të shtatorit. Ai theksoi rëndësinë dhe dobinë e shkëmbimeve të tilla në kontekstin aktual të intolerancës në rritje. Konkluzionet e Shkëmbimit të Durrësit do të paraqiten në konferencën e nivelit të lartë me temë "Diversiteti në Evropë, një forcë për të ardhmen", që do të mbahet në Tiranë më 8-9 nëntor, e cila do të shënojë fundin e Kryesisë shqiptare. Qëllimi i saj do të jetë përforcimi dhe përhapja sa më shumë që të jetë e mundur e mesazhit të paqes së bashku me hapjen ndaj kulturave të njëri-tjetrit, si dhe besimet.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›