E Shtunë, 31 Tetor 2026

Malmstrom: Kontribuoni të gjithë me votë në parlament për integrimin

Tiranë- Komisionerja Europiane për Çështjet e Brendshme Cecilia Malmstrom zhvilloi sot një takim me kryeministrin Berisha. Ajo rikonfirmoi mbështetjen e plotë të Komisionit Europian në të gjitha përpjekjet e Shqipërisë, për të ecur me shpejtësi në hapat e mëtejshëm të integrimit europian.

Kryeministri Berisha e njohu komisioneren Malmstrom me përpjekjet, reformat e mëdha dhe arritjet e qeverisë në luftën kundër krimit, korrupsionit, në dixhitalizimin e procedurave dhe rritjen e transparencës, në arritjet e rëndësishme përsa i përket shtetit ligjor, por edhe në fushën ekonomike, ku Shqipëria është një ndër vendet e pakta që nuk hyri në recesion.

Komisionerja Malmstrom pohoi se arritjet e rëndësishme gjatë kësaj periudhe janë identifikuar dhe vlerësuar nga Bashkimi Europian dhe janë reflektuar edhe në raportin që Komisioni Europian publikoi për Shqipërinë, duke rekomanduar edhe statusin e vendit kandidat, pas miratimit të tre akteve ligjore që kërkojnë shumicë të cilësuar në parlament.

Në këtë kontekst, komisionerja Malstrom vlerësoi se për miratimin e ligjeve të lidhura me integrimin, përfshi edhe tre ligjet e kërkuara në raportin e Komisionit Europian, duhet të japin kontributin e tyre të gjitha forcat politike në parlament, pasi miratimi i tyre nuk i shërben vetëm qeverisë, por qytetarëve shqiptarë dhe projektit të tyre të integrimit në Bashkimin Europian.

Berisha e siguroi se qeveria shqiptare mbetet plotësisht e vendosur për të bashkëpunuar ngushtë me Komisionin dhe vendet anëtare të BE-së, për të gjitha reformat e rëndësishme, të cilat do të përshpejtojnë ecjen përpara drejt anëtarësimit në BE, por njëkohësisht e bëjnë jetën e të ardhmen e qytetarëve shqiptarë edhe më të mirë e më të sigurt.

/IDEA/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›