E Shtunë, 31 Tetor 2026

Genet sërish në skenë

Ndjeshmëria e Jean Genet, poetit, shkrimtarit dhe dramaturgut francez, duket se ka prekur edhe regjisorin Kiço Londo, i cili ka vendosur të vërë në skenë një nga dramat më të njohura të tij. "Shërbëtorët" do të ngjitet në skenën "Black Box" të Akademisë së Arteve të shtunën më 29 mars. Për herë të parë në skenën shqiptare këtë vepër e ka ngjitur regjisori Arben Kumbaro në vitin 1995. Gati 13 vjet më vonë, kjo pjesë e njohur dramatike për filozofinë që përcjell, është përzgjedhur nga regjisori Kiço Londo. Në role do të interpretojnë aktoret Valbona Imami, Loredana Gjeçi dhe Adelina Muça. Skenografia është realizuar nga Mario Malaj, i cili ka parapëlqyer ta ndërtojë të thjeshtë. E gjithë historia e dramës orvatet në marrëdhëniet e një zonje me dy shërbëtoret e saj. Një marrëdhënie e mbushur me dashuri dhe intriga, që mund të zbulohen vetëm nga një penë si e Genet. Vepra është përkthyer në shqip nga Maklena Nika dhe është realizuar si një bashkëpunim mes Fakultetit të Artit Skenik, Shoqatës Teatrore "Çajupi", me mbështetjen e ambasadës franceze.
Jean Genet, një nga shkrimtarët më të diskutuar edhe për jetën e tij (ishte homoseksual dhe endacak) në vitet ‘30-‘40 të shekullit të kaluar ka vizituar gati të gjithë Evropën. Në vitin ‘36 ai ka qenë edhe në Shqipëri, ku ka ndenjur 3 muaj, por që është dëbuar me ndërhyrjen e qeverisë franceze. Genet ka qenë disa herë në burg dhe ka shpëtuar nga dënimi me vdekje falë ndërhyrjes së Sartre dhe Cocteau, të cilët i kishin dërguar një peticion qeverisë franceze.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›