E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndjenja në gur

E nesërmja për Ritva Luukkanen është diçka që të bën të duash të tashmen edhe kur ajo i ngjan një dimri të thellë. Pas çdo stine ku jemi lënduar, do ndiejmë sërish erën e jetës, ashtu si gruaja me bluzë të thjeshtë, që Ritva e ka krijuar aq lehtë me gurë.

Ajo ka zgjedhur këtë formë arti, ku operon prej vitesh, për t‘i dhënë jetë çdo mendimi, për të zgjidhur çdo enigmë, apo të përfytyrojë përmes tyre të nesërmen. Dje, në Galerinë Kombëtare të Arteve, kjo artiste finlandeze ka hapur ekspozitën e parë në vendin tonë të quajtur "Të jetosh të nesërmen". Rreth 38 punë të ndërtuar me gurë shfaqin para teje personazhe që Ritva jo rastësisht i ka zgjedhur për t‘i formëzuar. Pothuajse e njëjta fytyrë gruaje që lëviz nga një punë në tjetrën në forma të ndryshme, e njëjta fytyrë burri dhe e njëjta dëshirë për t‘u ndjerë e përqafuar, ashtu si gruaja që është mbështjellë nga krahët e një mjellme.

Ritva Luukkanen vjen në këtë ekspozitë pas një serie ekspozitash nëpër Ballkan. Etapa e parë e këtij turi ishte Kosova, me një ekspozitë në Galerinë e Arteve të Prishtinës më 29 shkurt 2008. Ajo zgjodhi Prishtinën, duke besuar në rëndësinë e madhe të asaj ngjarjeje historike, siç ishte pavarësia që ky qytet jetoi. Dhe pas Prishtinës stacioni i saj ishte Tirana. Gjysma tjetër e shqiptarëve do të përjetojë për gati 10 ditë ekspozitën e Luukkanen.

Është interesante figura që mbart çdo punë e Luukkanen. Artistja, që i ka kaluar të 60-at, ka një fuqi për të depërtuar thellë brenda personazheve që ka zgjedhur. Dhe pse kritika sheh te punët e saj aftësinë për të ndjerë nuancat e panumërta të peizazhit finlandez. Brenda këtij peizazhi ndihen ato që lëvizin çdo ditë brenda nesh. Si femër ajo e di se arti në të gjitha format e tij është thjesht një lëvizje për të thënë atë çfarë ka qenë shqetësimi yt. Veprat origjinale të Luukkanen kanë nisur të realizohen që në vitet 1970. Me fuqinë e imagjinatës së saj krijuese ajo u jep jetë gurëve të natyrës finlandeze. Pas përzgjedhjes së kujdesshme të shkëmbinjve të përshtatshëm, ajo i gdhend ata në copa të vogla, pastaj kompozohen në vepra të larmishme dhe harmonike të artit. Teknika e saj e punës është unike. Natyra e shkëmbit dhe brishtësia e tij krijon një atmosferë të qetë për lutje dhe Ritva Luukkanen ka krijuar vepra të mëdha dhe të vogla altari me tematikën religjioze. Veprat e saj mund të hasen edhe në Vatikan. Libri i saj i lutjeve "Ati ynë", i bërë kryekëput nga guri finlandez, rrugëton nëpër botë. Në vitet 1980, Ritva filloi të krijonte edhe ikona.

Portretet e Ritvës paraqesin konceptin tradicional të portretit si pikturë, një pjesë skulpture apo grafike. Njohja fenomenale e natyrës njerëzore nga ana e Luukkanenit i bën asaj të mundur që të gjejë pikërisht atë disponim të duhur, si dhe llojin e përshtatshëm të gurit për të paraqitur cilindo person.

Kavela, epi kombëtar i finlandezëve, ka qenë gjithashtu frymëzim i madh për këtë artiste, për shumë piktura impresive që pasqyrojnë mitet nga historia finlandeze. E tërë kjo shprehet me përdorimin e copëzave të shtresave gurore finlandeze, që janë nga më të vjetrat në tërë botën.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›