Man Utd frymon futboll

Robin van Persie ka treguar pse iu bashkua Manchester Unitedit, pas vendimit për t’u larguar nga Arsenali gjatë afatit kalimtar të verës. Ylli holandez kishte njoftuar se nuk do të vazhdojë kontratën e tij në Emirates, e cila kishte hyrë në vitin e saj të fundit të vlefshmërisë.
Dhe, pas një beteje të ashpër me Manchester Cityn dhe Juventusin, Manchester United siguroi shërbimet e tij duke paguar 24 milionë funte. Van Persie ka njoftuar se iu bashkua Djajve të Kuq për një numër arsyesh, por kryesorja sepse besoi se ky ishte klubi perfekt për të.
“Kam kaluar vetëm disa javë këtu por ndihem shumë i mirëseardhur. Dua t’iu falënderohem të gjithëve, të gjithë kanë qenë shumë të dobishëm për mua dhe më kanë ndihmuar të përshtatem sa më mirë”, deklaroi Van Persie gjatë një interviste për The Times of India.
“United frymon futboll, në çdo aspekt. Është klub i madh. Për këtë arsye nuk m’u nevojit shumë kohë që të vendos të vij këtu. Vendimi im u bazua në disa aspekte, futbollistët e Manchester Unitedit, stadiumi dhe menaxheri. Mendoj se të gjithë tanimë më njohin mirë. Nga ky këndvështrim, jam shumë principiel. Është gjithmonë vështirë të gjeni një vend që ju përshtatet, por mendoj se ky klub është thjesht perfekt për mua”, shtoi ai.
Van Persie po ashtu tregoi pse vendosi të marrte fanellën me numrin 20. Ai synon t’i ndihmojë skuadrës të fitojë titullin e 20-të në ligë.
“Kisha opsionet 20 dhe 21 dhe arsyeja pse zgjodha numrin 20 është për shkak se të gjithë kemi të njëjtin synim. Duam të fitojmë titullin që do të jetë i 20-ti për Unitedin në ligë. Sigurisht se dua të jem pjesë e rëndësishme e një ekipi fitues”, u shpreh ai.
Sulmuesi holandez nuk ka lënë pa lavdëruar ish-skuadrën e tij Arsenal, dhe theksoi se ndihet borxhli i ekipit të menaxherit Arsene Wenger. Ai po ashtu beson se stërvitja si i ri me futbollistë si Dennis Bergkamp ndihmoi zhvillimin e tij të mëtejmë.
“Arsenali është klub i shkëlqyeshëm. Mënyra si jam sot, futbollisti që jam sot, është për shkak të tyre, ata më kanë rritur. Kam mundur të shkoj në PSV Eindhoven, kur isha në Feyenoord, kurse kisha opsion edhe kalimin në Sevilla. Te Sevilla më ofruan më tepër para. Por, në Arsenal stërvitja me futbollistë si Dennis Bergkamp, Patrick Evra, Thierry Henry dhe atë në moshën 20 vjeç. I kam shumë borxh Arsenalit”, përfundoi ai.