E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çelsi triumfon në derbi, Siti 3 pikë “in-extremis”

ANGLI- Java e gjashtë e Premier Ligës ka nisur dje me një derbi emocionues dhe spektakolar, teksa Çelsi ka fituar 2-1 në fushën e Arsenalit, duke ruajtur kreun e renditjes me 16 pikë. Në “Emirates”, forma e shkëlqyer e dy skuadrave premtonte spektakël dhe në të vërtetë kështu ka ndodhur. Takimi ka nisur me fishkëllimat e panumërta ndaj Xhon Territ, i cili është pezulluar për 4 javë për fyerje raciste ndaj Anton Ferdinand, por dje ka qenë në fushë pasi ky pezullim nuk ka hyrë në fuqi deri në zbardhjen e motiveve. 

Arsenali edhe njëherë është ndëshkuar nga gabimet në mbrojtje, nga Loren Koshielni, i cili gaboi në dy goditje dënimi të kalibruara mirë të Huan Matës. Në të parën ishte Torres që realizoi, falë një goditjeje fluturimthi pas krosit të Matës, ndërsa tre minuta nga mbyllja e pjesës së parë “Topçinjtë” barazuan me anë të Zhervinjo. Arsenali kishte mundësi të shënonte edhe golin e avantazhit, por Petr Çeh ka qenë vendimtar me pritjet e tij. Në pjesën e dytë, sërish një gabim i Koshielnit, që ngatërroi portierin Manone me një devijim nga goditja e dënimit të Matës, solli golin e dytë për Çelsin. Arsenali nuk u dorëzuar dhe në fillim një goditje me kokë e Podolskit dhe më pas një gjuajtje e Zhiru e devijuar nga Luiz, për pak përfunduan në rrjetë. Sulmuesi francez Zhiru humbi një shans të artë në minutat e fundit, kur goditi rrjetën e jashtme pas një asisti të mrekullueshëm të Oklejd- Çembërlein. 

NDESHJET 
Pas Çelsit, ka fituar edhe Mançester Siti, që nuk fitonte prej 2 barazimesh me Stouk e Arsenal. Një ecuri jo edhe aq e mirë për një skuadër që ka ambicje të pafundme. Skuadra e drejtuar nga Roberto Mançini ka arritur të sigurojë tre pikët vetëm në fundin e ndeshjes, kur Edin Xheko, që sapo ishte futur në fushë, arriti të çajë murin e Fulhamit, pas një aksioni të nisur nga këmbët e Klishi. Në pjesën e parë ishte Mlladen Petriç që kaloi në avantazh londinezët nga pika e bardhë e penalltisë. Ndërhyrja e Zabaletës ndaj Rises u konsiderua faull nga gjyqtari dhe kroati nuk fali. Në fundin e pjesës së parë Serxhio Aguero barazoi shifrat, duke dërguar në rrjetë një top të kthyer nga portieri. Sa u përket takimeve të tjera, Liverpuli ka fituar thellësisht 5-2 në fushën e Noruiçit, falë një Luis Suarez në formë fantastike, duke shënuar 3 gola. Ishte fitorja e parë sezonale për ekipin e Brendan Roxhers, që ka bërë një nga nisjet më të dobta të historisë së tij. Ndërkohë, tjetër fitore për Evertonin, që në fushën mposhti 3-1 Sauthemptonin. Edhe pse e pa veten fillimisht në disavantazh, ekipi i Devid Mojes përmbysi gjithçka që në pjesën e parë. Ndërkohë, Stouk mundi 2-0 Suonsin, ndërsa Njukasëll barazoi 2-2 me Riding.
(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›