FIFA e ka tepruar

FIFA të premten zhgënjeu Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK). Kjo për shkak se, përkundër paralajmërimeve, Komiteti Ekzekutiv i saj nuk i përzgjodhi modalitetet se si përfaqësuesja e Kosovës t’i zhvillojë ndeshjet miqësore, pa të cilat mbetet i ‘ngrirë’ vendimi i muajit maj, kur FIFA i kishte dhënë leje Kosovës për të zhvilluar ndeshje.
Sepp Blatter dhe kolegët e tij vendosën që ato modalitete t’i lënë për t’i përzgjedhur më 14 dhjetor. Kështu, kërkesa e FFK-së sërish nuk u aprovua përfundimisht, duke u shtyrë si zakonisht. E këto shtyrje të njëpasnjëshme po e mërzitin shtëpinë e futbollit kosovar. Krerët e saj thonë se FIFA tashmë e ka tepruar.
“Sigurisht se kjo tashmë është shumë e tepruar. Por, ne nuk kemi më asgjë në dorë. Çdo mundësi e kemi shfrytëzuar. Jemi munduar t’i shfrytëzojmë edhe mundësitë më të vogla të mundshme”, ka thënë sekretari i FFK-së, Eroll Salihu për Express.
“Kemi informata se disponimi në Komitetin Ekzekutiv të FIFA-s ka qenë pozitiv. Kemi informacione se kjo çështje do të kryhet më 14 dhjetor dhe do të jetë një vendim i mirë për Kosovën. Por, nëse edhe në dhjetor kjo nuk kryhet, atëherë do t’i humbasë kuptimi, sepse ne presim që në vitin e ardhshëm Kosova do të njihet nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, dhe atëherë anëtarësohemi automatikisht me drejta të plota në UEFA e FIFA”, shtoi Salihu.
Në anën tjetër, FIFA u ka bërë thirrje kosovarëve të mos shqetësohen. Sipas zëdhënësit të saj, Walter de Gregorio, Kosovës qysh në muajin maj i është dhënë leja për të zhvilluar ndeshje miqësore ndërkombëtare, por duhet të presë edhe pak muaj derisa FIFA t’ia përzgjedhë modalitetet konform të cilave duhet t’i luajë ato lojë.
“Vendimi është marrë. Nuk bëhet fjalë në asnjë mënyrë për ndonjë mundësi të tërheqjes së vendimit të marrë më herët për t’i lejuar këto ndeshje. E gjithë ajo që do të vendoset në mbledhjen e ardhshme në Tokio, në muajin dhjetor, ka të bëjë me modalitetet, hollësitë dhe detajet”, ka thënë Walter de Gregorio për albinfo.ch.
“Në atë mbledhje të dhjetorit do të vendoset, fjala vjen, nëse do të luajnë ekipet e femrave, juniorët, pastaj detaje të tjera teknike. Do të përcaktohen kornizat administrative për ndeshjet në fjalë etj”, ka shpjeguar ai.
Kjo kërkesë e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), tashmë e moçme, po vazhdon të endet nëpër qytete të ndryshme të botës nga ana e FIFA-s dhe UEFA-s, të cilat thjesht po e anashkalojnë atë, duke mos iu përgjigjur përfundimisht.
Siç dihet, fillimisht këtë kërkesë të FFK-së, herë FIFA e kalonte tek UEFA, e herë kjo e fundit te FIFA. Por, në maj të këtij viti, FIFA e aprovoi atë.
Mirëpo, pas presionit të Serbisë dhe miqve të saj, Sepp Blatter pati vendosur që ta ‘ngrijë’ përkohësisht atë vendim. Kështu, FIFA kishte paralajmëruar që atë vendimin do ta fuqizojë më 27 dhe 28 shtator, pasi Komiteti Ekzekutiv i saj t’i përzgjedhë modalitetet, në përputhje me të cilat Kosova duhet luajë miqësore të karakterit ndërkombëtar.
Por, ato modalitete nuk i përzgjodhi fare Komiteti Ekzekutiv i FIFA-s në mbledhjen e vet dyditore që e përfundoi të premten. Ky organ vendosi që një gjë të tillë ta bëjë më 14 dhjetor në Tokio të Japonisë, duke e lënë kështu edhe më tutje reprezentacionin kosovar në tunelin e errët.