Kombëtarja ndërron fanellat 'greke'

Federata Shqiptare e Futbollit ka paralajmëruar se do të ndryshojë fanellën e dytë të Kombëtares, pas akuzave të forta se ajo ato janë identike me fanellat e kombëtares greke. Një pohim i tillë ka ardhur ditën e djeshme nga sekretari i përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Futbollit, Eduard Prodani.
Ai në mënyrë indirekte ka pranuar se bluzat janë thuajse të ngjashme. Prodani ka sqaruar se në ndeshjet e ardhshme, fanella të cilat do të përdoren kur luajnë si mysafire, do të ketë një model tjetër.
"U bë shumë bujë në media, por është diçka që do ta rregullojmë", ka thënë Prodani, për ueb faqen shqiptare Ballkanweb.com.
Për shkak edhe të presionit të madh, mësohet se FSHF-ja i ka kërkuar kompanisë gjermane Adidas që të ndryshojë modelin e bluzave që u panë në takimin e 11 shtatorit kundër Zvicrës.
Ato ishin thuajse të njëjta në model e në ngjyrë me fanellat e Kombëtares greke, gjë që nuk u prit aspak mirë nga tifozët shqiptarë anembanë globit.
"Bluzat vijnë nga një kompani serioze si Adidas dhe nuk prodhohen nga ne. Nëse i bëjmë me ngjyrë të kuqe do të ishin si të Spanjës, nëse i bëjmë të bardha si të Gjermanisë", pati thënë pas asaj ndeshjeje presidenti i Federatës, Armand Duka.
E megjithatë, për tifozët shqiptarë ato fanella do të ishin më të pranueshme, duke parë rivalitetin me grekët. Burime nga FSHF-ja bëjnë të ditur se fanella e re për ndeshjet që kuqezinjtë do t’i luajnë si mysafirë do të jetë ndryshe dhe me më shumë simbole shqiptare në të.