E Martë, 3 Nëntor 2026

Manastirliu: 1.3 mld lekë nga buxheti i shtetit për shërbimin spitalor

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ka bërë me dije se, me vendim të Këshillit të Ministrave, është rialokuar fondi prej 1.3 miliardë lekësh për shërbimin spitalor.

Në një deklaratë për mediat pas përfundimit të mbledhjes, Manastirliu tha se fondi do të kalojë në buxhetin e sistemit spitalor dhe se në të përfshihet edhe rritja e pagave për mjekët e infermierët.

“Ndër vendimet e mara kemi një që ka të bëjë me rialokimin e fondeve sa i përket shërbimit spitalor nga skema e detyrueshme e kujdesit shëndetësorë, 1.3 mld lekë që trupëzohen në buxhetin e sistemit shëndetësor duke i përfshirë në buxhetin spitalor. Në investimet e bëra dhe me fokus për të zgjeruar shërbimet spitalore, kemi vendosur të bëjmë rialokime duke krijuar rezervën e nevojshme për të atribuuar gjithsecilit nga spitalet, në bazë të një vlerësimi kosto efektiv për çdo spital, buxhetin e nevojshëm qoftë për mbulimin e pagave, duke qenë se janë rritur dhe gjithashtu shpenzimeve operative të spitaleve dhe që garantojnë financim të sigurt të spitaleve dhe rritje të llojeve të ekzaminimeve dhe ndërhyrjeve”, tha Manastirliu.

Ministria shtoi po ashtu se shërbimi spitalor do të mbështet me buxhet edhe sa i përket ofrimit të shërbimeve të reja, ku bëri me dije se janë ngritur grupet e punës sa i përket edhe ndërhyrjeve invazive në tru.

“Jemi të dedikuar që të vijojmë të mbështesim shërbimin shëndetësor spitalor me një buxhet që përgatitet për të ofruar edhe shërbime të reja. Jemi në grupet e punës sa i përket edhe ndërhyrjeve invazive në tru dhe grupet e punës janë funksionale dhe buxhetet po alokohen për të bërë të mundur mbështetjen sa i përket këtyre procedurave dhe trajnimit në vijim të mjekëve, gjithashtu dhe sa i përket procedurave të reja siç është transplanti i palcës së kuqe apo fertilizimi invitro , janë shërbime të reja që do t’i shtohen sistemit tonë shëndetësor”, u shpreh Manastirliu.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›