E Martë, 3 Nëntor 2026

Baza inovacioni pranë çdo ministrie nga shtatori, Balluku: Përthithim “trurin” më të mirë

Është mbajtur sot (24 gusht) mbledhja e qeverisë nën drejtimin e zv.kryeministres Belinda Balluku, për të diskutuar planet dhe strategjitë për të ardhmen.

Balluku bëri me dije se duke nisur nga muaji shtator do të krijohen baza novatore pranë ministrive shqiptare, të cilat kanë në fokus projektet e reja dhe inovacionin.

Qendrat e inovacionit do të përthithin “trurin” më të mirë në Shqipëri dhe diasporë.

“Kemi pasur mbledhje konstruktive me shumë biseda dhe plane e strategji për të ardhmen: plan afatshkutër, ai i 300 ditëve dhe ai afatmesëm 3-vjeçar.

Krijimi i nuklave të inovacionit nga ky shtator është kërkesë e kryeministrit. Digjitalizimin e shërbimeve, qytetarët e kanë të prekshëm në secilin nga sektorët ku kërkojnë shërbim. Shqipëria operon me teknologji moderne, siç është rasti i satelitëve. Sot kemi rezultate të prekshme që i kemi paraqitur para publikut.

Na ka lindur nevoja që brenda ministrive të ketë nukla inovacioni, të cilat do t’i propozojnë ministrit, trupës së administratës së çdo ministrie projekte të reja, novatore dhe që do bashkërendojnë punën mes ministrive.

Për të pasur nukla novatore ne do na duhet të dalim në tregun shqiptar për të përthithur sa më shumë njerëz që kanë pasion ndaj inovacionit.

Pagat që kat sot tregu janë të larta. Kemi vendosur të aplikojmë pagën më të lartë se sektorët e tjerë, për të përthithur trurin më të mirë që ka tregu shqiptar dhe diaspora. Në ditët në vijim, brenda vjeshtës nuklat do jenë të disponueshme para secilës ministri që do ketë nevojë për t’u përdorur.

Kemi diskutuar për një vendqëndrim të përbashkët të secilës prej këtyre nuklave për të krijuar interaktivitet dhe për të arritur produkte të përbashkëta,” tha Balluku.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›