E Martë, 3 Nëntor 2026

Ukraina feston Ditën e Pavarësisë, Begaj uron Zelenskyyn: Shqipëria do ngrejë nivelin e pranisë diplomatike në Kiev

Ukraina feston sot (24 gusht) Ditën e Pavarësisë, ndërsa Presidenti Bajram Begaj ka uruar homologun, Volodymyr Zelenskyy. Në mesazhin e tij, Begaj kujton edhe kremtimin e 30-vjetorit të marrëdhënieve miqësore midis dy vendeve, teksa thekson mbështetjen e palëkundur të Shqipërisë për Ukrainën.

Beagj bën me dije se Shqipëria ka vendosur ta ngrejë nivelin e pranisë së saj diplomatike në Kiev.

“I nderuar Zoti President!

Kremtimi i Ditës së Pavarësisë së Ukrainës më jep mundësinë dhe kënaqësinë që edhe në emër të popullit shqiptar t’Ju përcjell Juve dhe popullit mik të Ukrainës urimet më të mira e të përzemërta. Më lejoni që me këtë rast të shpreh kënaqësinë për marrëdhëniet miqësore midis dy vendeve tona, të cilat këtë vit kremtojnë 30-vjetorin e tyre, por edhe të vlerësoj lidhjen e sinqertë midis dy popujve tanë, falë edhe diasporës së hershme shqiptare në Ukrainë. Në këtë 30-vjetor, si shenjë e dëshirës dhe e vullnetit tonë për të qenë sa më pranë Ukrainës dhe për të intensifikuar më tej bashkëpunimin, Shqipëria ka vendosur ta ngrejë nivelin e pranisë së saj diplomatike në Kiev”, thotë Begaj në mesazhin e tij.

Edhe njëherë, Begaj thekson se Shqipëria do të vazhdojë të kontribuojë në Këshillin e Sigurimit dhe në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, por edhe me mbështetje diplomatike e ushtarake.

“Përfitoj nga rasti të ritheksoj qëndrimin e qartë dhe të palëkundur të Shqipërisë në mbrojtje të integritetit territorial, sovranitetit dhe të pavarësisë së Ukrainës. Ju siguroj se Shqipëria do të vazhdojë të kontribuojë në Këshillin e Sigurimit dhe në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, por edhe me mbështetje diplomatike e ushtarake, pasi ndajmë vlera dhe interesa të përbashkëta euroatlantike. Me urimet më të mira në këtë ditë të shënuar për vendin Tuaj, Ju lutem pranoni Zoti President, shprehjen e respektit dhe të konsideratës sime më të lartë”, përfundon mesazhin Begaj.

24 gushti shënon për Ukrainën 32 vite pavarësisë nga ish-Bashkimi Sovjetik, ndërsa vendi tashmë po lufton me pushtimin rus. 

Edhe Kryeparlamentarja Lindita Nikolla ka uruar gjithashtu Presidentin Zelensky për 32-vjetorin e Pavarësisë së Ukrainës.

Nikolla garantoi vijueshmërinë e mbështetjes së Shqipërisë ndaj popullit ukrainas për mbrojtjen territoriale dhe sovranitetit të Ukrainës.

“Me rastin e 32-vjetorit  të miratimit të Aktit të Pavarësisë së Ukrainës, i dërgoj  Presidentit të “Verkhovna Rada” @r_Stefanchuk përshëndetjet më të ngrohta të Kuvendit të Shqipërisë dhe të miat personalisht.

Shpallja më 24 gusht 1991 e pavarësisë së shtetit modern 🇺🇦 kremtohet në kushtet e rënda të agresionit të Rusisë.

Shqipëria ka qenë dhe do të jetë në mbështetje të luftës së drejtë të popullit ukrainas për mbrojtjen e tërësisë territoriale dhe sovranitetit të shtetit mik të Ukrainës”, shkroi Nikolla në rrjetin social Facebook.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›