Manastirliu: 80 laboratorë të rinj me mjete didaktike për lëndët e shkencave

TIRANË, 14 prill/ATSH/ Laboratorët e biologjisë, fizikës dhe kimisë në gjimnazin “Sami Frashëri” në Tiranë, janë pajisur me mjete të reja didaktike për lëndët e shkencave, ashtu si 80 laboratorë të rinj në shkollat e tjera të vendit.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu viizitoi nga afër këta laboratorë në gjimnazin “Sami Frashëri”.
“Këto investime janë mundësi reale që nxënësit tanë të mësojnë me kushte bashkëkohore, të eksperimentojnë, të zhvillojnë mendimin kritik dhe të përgatiten më mirë për të ardhmen”, tha Manastirliu.
Ministrja Manastirliu u shpreh se “po vijojmë të rrisim kapacitetet në laboratorë edhe në shkollat e tjera. Në 80 laboratorë që janë pajisur me mjete didaktike këtë vit do të vijojmë edhe në vijim, sepse është e nevojshme që në çdo shkollë qoftë në qendër, periferi, në fshat e qytet, nxënësit mësojnë njësoj”.
Pajisja e shkollave me laboratorë të biologjisë, fizikës dhe kimisë në shkolla të arsimit bazë dhe të mesëm krijon një mjedis të avancuar për të nxitur aftësitë shkencore dhe eksperimentale të nxënësve.
Laboratorët STEM janë një hap i rëndësishëm për modernizimin e sistemit arsimor, duke u dhënë nxënësve mundësinë për të zhvilluar aftësitë praktike në shkencë, teknologji, inxhinieri dhe matematikë. Përveçse nxisin kreativitetin dhe bashkëpunimin, këto laboratorë ndihmojnë në përgatitjen e nxënësve për tregun e punës dhe për karriera të suksesshme në fusha që kërkojnë ekspertizë shkencore dhe teknologjike.
/k.s/r.e/a.f/