Manastirliu: Financojmë mbi 100 projekte të kërkimit shkencor, bashkëpunim edhe me diasporën

TIRANË, 2 maj/ATSH/ Në Tiranë u çel sot Kongresi i Parë Ndërkombëtar i Shkencave të Shëndetit, organizuar nga Universiteti i Mjekësisë Tiranë, një ngjarje e rëndësishme që bashkon profesionistë të fushës së mjekësisë, studiues dhe pedagogë nga Shqipëria, rajoni dhe vende të ndryshme të botës.
Të pranishëm në ceremoninë e hapjes së punimeve të kongresit ishin ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, kryetari i Akademisë së Shkencave, akad. Skënder Gjinushi, rektori i Universitetit të Mjekësisë, prof. dr. Xheladin Draçini, si dhe dhjetëra të ftuar, profesorë, mjekë dhe përfqësues nga institucione akademike ndërkombëtare.
Në fjalën e saj ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu theksoi rëndësinë strategjike të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe mbështetjes ndaj kërkimit shkencor, duke e cilësuar kongresin si një platformë të madhe diskutimi.
“Kongresi i Parë Ndërkombëtar i Shkencave të Shëndetit është një platformë e madhe e diskutimit mbi shkencat e shëndetit që bashkon mbi 300 studiues e kërkues shkencorë dhe unë jam e bindur që do të keni mundësi në këto tre ditë intensive të shkëmbimit të praktikave të mira të projekteve të kërkimit shkencor, t’i shërbeni asaj që është më e rëndësishme: shëndetit të qytetarëve dhe kujdesit ndaj pacientëve.
Për ne ka një rëndësi parësore kërkimi shkencor. E kemi treguar në të gjitha këto vite të punës sonë përmes një bashkëpunimi interaktiv me komunitetet ndërkombëtare të universiteteve të ndryshme europiane dhe e kemi treguar gjithashtu me të gjithë instrumentet financiarë por edhe ligjorë, të cilët i kemi vendosur në funksion të arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor”, tha Manastirliu.
Duke folur për mbështetjen e qeverisë në fushën e kërkimit dhe inovacionit, ministrja Manastirliu u shpreh se “bashkë me Akademinë e Shkencave ne punuam fort me gjithë universitetet për ligjin e ri të shkencës në Shqipëri. Tashmë jemi në fazën ku jemi duke ndërtuar të gjithë instrumentet ligjorë, sepse ky ligj jo vetëm që mbështet shkencën e hapur, por krijon mundësinë që në të gjitha institucionet tona të arsimit të lartë, aty ku shkenca lëvrohet dhe mbështetet, të kemi dhe qendra të tjera ku jo vetëm financiarisht do të mbështeten nga buxheti i shtetit, por edhe nga të tretët: nga biznesi, që është një nxitës shumë i fortë sa i përket kërkimit shkencor, por edhe nga institucionet ndërkombëtare”.
Manastirliu vuri në dukje se do të prezantojmë projektet e reja të kërkimit shkencor dhe infrastrukturës së kërkimit shkencor.
“Përmes Agjencisë Kombëtare të Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit kemi bërë hapa të rëndësishëm në financimin e kërkimit shkencor për të gjitha universitetet tona. Ne tashmë jemi në fazën ku do të prezantojmë projektet e reja të kërkimit shkencor dhe infrastrukturës së kërkimit shkencor. Janë mbi 100 projekte që do të financohen nga Ministria e Arsimit dhe Sportit përmes Agjencisë Kombëtare të Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit; projekte të cilat jo vetëm ngrenë në një standard kërkimin shkencor në Shqipëri, por nga ana tjetër hapin dyer për bashkëpunimin me diasporën akademike, me biznesin, duke realizuar atë që është qëllimi i tretë i arsimit të lartë, shërbimin ndaj shoqërisë”.
Ajo shtoi gjithashtu se ndërkombëtarizimi i universiteteve është prioritet, duke theksuar bashkëpunimet me institucione të njohura ndërkombëtare.
“Ndërkombëtarizimi është fjala kyçe e gjithë prioritetit tonë përsa i përket hapjes drejt të resë, por edhe rritjes së standardeve dhe cilësisë së sistemit tonë arsimor, por edhe të të gjithë sektorëve të vendit, dhe këtu kemi bërë hapa të mëdha me universitetet tona për nxitjen e hapjes së kampuseve universitare. Një projekt inovator që ne synojmë ta realizojmë në vitin e ri akademik 2025–2026 është hapja e kampusit të Universitetit Teknologjik të Compiègne në Universitetin Politeknik të Tiranës, duke i dhënë kështu mundësinë që universitete europiane të një standardi dhe niveli bashkëkohor të mikpriten brenda strukturave të universiteteve tona publike, duke i dhënë mundësi jo vetëm rritjes së kapaciteteve, por edhe kërkimit shkencor, diplomave dyfishe apo programeve të përbashkëta që do të nxisin më tej jo vetëm ekselencën në arsim, por edhe në kërkimin shkencor”, tha Manastirliu.
Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë akad. Gjinushi përshëndeti Kongresin në emër të ASHSH-së, të cilin e vlerësoi si një ngjarje madhore për komunitetin shkencor dhe mjekësor shqiptar dhe si një tribunë të debatit shkencor dhe të shkëmbimit të përvojave midis homologeve mbi prirjet e të rejat e shkencës.
Gjinushi foli për strategjitë dhe domosdoshmërinë e forcimit të bashkëpunimit të Akademisë së Shkencave me shkollat e larta e Universitetin e Mjekësisë, si dhe me tërë komunitetin arsimor e shkencor në vend, për të reformuar sistemin e kërkimit shkencor, me synim afrimin me nivelin e standardet europiane.
Ai u shpreh se Bashkimi Europian deklaron hapur se sfida kryesore e këtij bashkimi në rang botëror është konkurrenca me kontinentet e rajonet e tjera në fushën e shkencës, në shkallën e shtrirjes së inteligjencës artificiale. Pra, ne ndodhemi në një moment kur shkenca është vënë në plan të parë në Europë, e ndërkohë, investimi për të te ne është më i ulëti në raport me sektorët e tjerë. Përvoja jonë e deritanishme na tregon se inteligjenca shqiptare me gjithë problemet e traumat e mirënjohura i ka mbijetuar tranzicionit, se Shqipëria i ka kapacitetet intelektuale për ndjekjen e ritmeve të zhvillimit të shkencave në tërësi, këtë e dëshmon edhe niveli profesional i trupës mjekësore në tërësi e niveli i formimit të mjekëve të rinj në Universitetin e Mjekësisë, por ky potencial duhet mbështetur, duke i krijuar kushtet për përfshirjen sa më të gjerë në kërkimin shkencor. Këtij qëllimi i shërben edhe reforma e ndërmarrë katër vitet e fundit nga Akademia e Shkencave, duke synuar ngritjen e qendrave të reja të kërkimit e fuqizimin e atyre ekzistuese.
Në këtë kuadër, një nga zhvillimet më të rëndësishme në fushën e shëndetit ka qenë krijimi i Komisionit të mjekësisë pranë Akademisë dhe më pas ngritja e Qendrës Kërkimore të Bioteknologjisë dhe Gjenetikës, e cila është vendosur pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” e me një vendim të posaçëm të Këshillit të Ministrave, në maj 2024, mori statusin e një Qendre të Përhershme Kërkimore.
Kryetari i ASHSH-së vlerësoi më tej punën e bërë nga Qendra Kërkimore e Bioteknologjisë dhe Gjenetikës, e cila që në hapat e parë kanë qenë të lidhur ngushtësisht me studimin e përgjigjes imunitare të popullatës shqiptare ndaj COVID-19 dhe sot është një model i suksesshëm i bashkëpunimit ndërinstitucional e të integrimit të kërkimit me praktikën klinike dhe formimin profesional.
Gjinushi premtoi zgjerimin e bashkëpunimit me Universitetin e Tiranës sidomos në formimin dhe përgatitjen shkencore të brezit të ri të studiuesve dhe profesionistëve të fushës së bioteknologjisë dhe mjekësisë moderne, duke e bërë Shqipërinë një pikë referimi për kërkimin në rajon.
Kongresi do të zgjasë tri ditë, duke krijuar një platformë frymëzuese për shkëmbimin e dijes, zhvillimin profesional dhe promovimin e ekselencës në fushën e mjekësisë dhe shkencave të shëndetit.
Në fokus të kongresit janë temat që prekin një spektër të gjerë të shkencave të shëndetit: nga mjekësia klinike, kirurgjia dhe urgjencat, te diagnostika teknologjike, shëndeti publik, shëndeti mendor, farmaceutika dhe rehabilitimi.
Ekspertë nga Shqipëria, Europa dhe SHBA po ndajnë dije rreth qasjeve të reja në diagnostikim, trajtim, menaxhim të sëmundjeve dhe humanizim të kujdesit shëndetësor.
/k.s/a.f/r.e/