Berisha takim me fermerë: Banka e Zhvillimit do t’ju çlirojë nga mikrokreditë

TIRANË, 2 maj /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha zhvilloi sot një takim me fermerë në Dimal, nga ku bëri edhe prezantimin e programit të “PD-Aleanca për Shqipërinë Madhështore”.
Duke iu drejtuar fermerëve, Berisha tha se “Banka e Zhvillimit do t’ju çlirojë nga mikrokreditë që po ju sjellin shumë telashe”.
“Banka e Zhvillimit do ketë një sektor të veçantë për bujqësinë dhe do t’ju çlirojmë nga mikrokreditë se edhe këto me interesat e larta ju sjellin shumë telashe”, tha Berisha.
Berisha u shpreh më tej se “do garantojmë për ju kredi të buta nga Banka e Zhvillimit, pastaj ju do ndërtoni jetën tuaj, të rinjtë do punojnë, fermat do ecin dhe Shqipëria do bëhet më e pasur dhe më e mëkëmbur dhe ju më të pasur”.
Berisha premtoi ndër të tjera se çdo fshat do të ketë infrastrukturën e lagjeve të qytetit.
“Ju jeni dëshmitarë që ne në vitin 2006-2013 investuam shumë në infrastrukturën e fshatrave, dhe sigurisht nuk e kompletuam atë. Por ne kishim një zotim dhe një parim dhe e kemi përsëri: çdo fshat duhet të ketë infrastrukturën e lagjeve të qytetit. Çfarë dua të them unë me këtë? Duhet të ketë rrugët, furnizimin me ujë, kanalizimet, furnizimin me energji, shkollën dhe qendrën shëndetësore”, u shpreh Berisha.
/a.f/r.e/