E Martë, 3 Nëntor 2026

Sekuestrohen 10 piktura me vlerë rreth 25 mijë euro në Portin e Durrësit


TIRANË, 2 maj /ATSH/ Policia Kufitare në Durrës ka sekuestruar 10 piktura me vlerë rreth 25 mijë euro dhe ka arrestuar drejtuesin e furgonit ku u gjetën pikturat.

Policia njoftoi sot se në “në vijim të punës së bazuar në analizën e riskut, të kryer nga Policia Kufitare e PKK Port Durrës, në hyrje/dalje të vendit, me qëllim parandalimin dhe goditjen e krimeve në kufi, në dalje të Shqipërisë, është kaluar në vijë të dytë, për kontroll të detajuar, furgoni me drejtues shtetasin K. Q”.

Sipas Policisë, “nga kontrollet në këtë mjet, janë gjetur 10 vepra arti (piktura), të padeklaruara, për të cilat ky shtetas nuk dispononte asnjë dokument që vërtetonte origjinën e tyre apo pronësinë mbi to”.

Policia njoftoi se në vijim të veprimeve procedurale për rastin, u arrestua në flagrancë shtetasi K. Q., 37 vjeç, banues në Elbasan.

Gjithashtu, njoftoi Policia, “u shpallën në kërkim shtetasit Q. H., 25 vjeç, banues në Fier dhe G. N., 53 vjeç, banues në Durrës, pasi nga hetimet dyshohen si bashkëpunëtorë të shtetasit K. Q., për trafikimin e pikturave. Vijon puna për kapjen e tyre dhe për dokumentimin e plotë të këtij rasti”.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Trafikimi i veprave të artit dhe kulturës”, kryer në bashkëpunim.

/a.f/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›