Mançester-Çelsi, sfida që vendos titullin
I gjithë fati i Premiership-it do të luhet në një pasdite: Mançester Junajtid dhe çelsi përballen në “Olld Traford”, impiantin që ndryshe njihet si “teatri i ëndrrave”, në një ndeshje që vlen më tepër se tri pikët. Kur mungojnë vetëm gjashtë javë nga mbyllja e kampionatit anglez, “Djajtë e Kuq” kryesojnë tabelën me 72 pikë, ndërsa blutë i ndjekin me vetëm një pikë më pak. Në këtë spektakël të garantuar, ka edhe nga ata që këtë sfidë e ndjekin duke bërë tifozllëk për një barazim: Arsen Venger dhe Arsenali që ai drejton, janë në vendin e tretë të klasifikimit, në kuotën e 68 pikëve. Megjithatë, dëmtimi i rëndë i çesk Fabregas, duket se e ka kompromentuar ëndrrën e “topçinjve” për të bërë surprizë në këtë sezon dhe të fitojnë titullin.
Sër Aleks Ferguson e ka hapur konferencën për shtyp duke folur për Uejn Runin, dëmtimi i të cilit i trembi të gjithë tifozët e Kombëtares së Anglisë në prag të Botërorit 2010. “Kombi mund t’u japë fund lutjeve, tha ai duke qeshur, pasi Uejn nuk ka pësuar asnjë dëmtim të rëndë në ligamente. Natyrisht që duhet të qëndrojë jashtë fushave dy apo tri javë për t’u rikuperuar”. Mungesa e sulmuesit 24-vjeçar mbetet një goditje mjaft e rëndë për Junajtid, që do të luajë pa futbollistin më të formë në duelin ku sipas të gjitha gjasave do të vendoset titulli kampion, por edhe në ndeshjet e kthimit kundër Bajernit të Mynihut, në çerekfinalet e Champions League. Tekniku skocez përqendrohet te takimi me çelsin dhe vlerëson Karlo Ançelotin: “Deri më tani ka punuar shumë mirë, është një trajner me shumë eksperiencë. Ai ka qenë një lojtar i madh dhe si trajner ka triumfuar dy herë në Champions: e kuptoj zhgënjimin për eliminimin nga Europa, por ata humbën përballë Interit, e cila është një skuadër shumë e fortë dhe që zhvilloi një paraqitje të shkëlqyer në ‘Stemford Brixh’”.
Në anën tjetër, Ançeloti nuk e fsheh synimin për ta fituar ndeshjen me Mançesterin. Trajneri italian kërkon me patjetër të fitojë titullin e parë në Premiership. “është një takim i rëndësishëm, edhe pse nuk e cilësoj vendimtar për titullin. është e qartë që fituesja e ndeshjes ndërmjet dy kryesueseve do të ketë shanse të mira për ta fituar kampionatin. Po punoj që të shpallemi kampionë: vendi i dytë nuk më kënaq, edhe sepse kemi kryesuar për tetë muaj”, deklaroi drejtuesi i stolit të londinezëve.