Mançesteri: “Duam pikët, jo golat”

Fitorja e shtrënguar e Mancester Junaitid 1-0 me Romën në Ligën e Kampioneve ishte shumë larg asaj mrekullie me shtatë gola të shënuar kundër formacionit italian sezonin e kaluar, por askush në "Old Traford' nuk ankohet për këtë. Goli i parë sezonal i Ujni Runit e vendosi Junaitid në vendin e parë në Grupin F me gjashtë pikë në dy ndeshje, duke regjistruar edhe fitoren e gjashtë 1-0 në tetë ndeshjet e fundit për "Redsat". "Natyrisht, unë preferoj të shënojmë më shumë gola, por ne fituam 1-0 dhe kemi të njëjtën numër pikësh, nuk ka rëndësi nëse rezultati është 1-0, 7-0 apo 2-0", - tha mbrojtësi francez, Petris Evra për stacionin televiziv të Mancester Junaitid. "Janë tri pikë dhe unë jam i lumtur për këtë. Unë jam gjithashtu i lumtur për Uejni Runin. Ai punoi shumë fort për t'u rikthyer nga dëmtimi dhe ishte e jashtëzakonshme të shihje atë duke shënuar. Ne luajtëm këtë ndeshje me shume profesionalizëm dhe unë jam i kënaqur me fitoren 1-0". Sulmuesi Luis Saha, i cili luajti për herë të parë, qysh prej dëmtimit të pësuar në muajin shkurt, u shpreh në të njëjtën linjë se rezultati është më i rëndësishëm se sa performancë e bujshme. "Qëllimi kryesor janë gjithmonë tri pikët", - tha Saha për televizionin e klubit të tij, MUTV. "Ne deshironim të shënonim më shumë gola pasi ne jemi Mancester Junaitid dhe kjo është ajo që klubi dëshiron, por ngadonjëherë gjëja kryesore mbetet rezultati". Mancesteri nuk ishte në formën më të mirë kundër Romës, formacioni i së cilës humbi një sërë rastesh të mira në pjesën e dytë. Runi thotë se ekipi i tij ishte me fat që mori tri pikë. "Ne luajtëm OK, por Roma luajti më mirë dhe rezultati më i ndershëm ishte një barazim, fatmirësisht ne ia dolëm të menaxhonim takimin", - tha Runi. Junaitid do të përballet me Dinamon e Kievit, ende pa pikë, në dy sfida vajtje-ardhje, duke shpresuar të arrijë në kuotën e 10 pikëve që, sipas menaxherit Aleks Ferguson, janë të mjaftueshme për të arritur në fazën me nokaut.