E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mançini: “Nuk do të jetë Roma e Mançesterit”

ASA (Albania Sport Agency)- Nëntëdhjetë minuta larg titullit. Tension dhe emocion në shtëpinë zikaltër përballë një takimi plot sfidë me Romën e Spaletit, me ndjekësin direkt në renditjen e Serisë A, edhe pse diferenca në pikë midis Interit kryesues dhe verdhekuqve është plot 18 pikë. Interi do të përballet ditën e mërkurë (ora 17:30) me Romën në një sfidë që në rast të fitores së zikaltërve do t'i japë skuadrës së Mancinit matematikisht titullin kampion të Serisë A.
"Nuk do të jetë Roma e Mancesterit. Shpresojmë të luajmë mirë dhe t'ia dalim të fitojmë edhe pse kam bindjen se nuk do të jetë aspak e thjeshtë", - thotë trajneri i Interit, Roberto Mancini.
"Do të jetë një Romë e fortë. Nuk besoj se Roma do të vijë në Milano për të festuar një fitore të mundshme tonën. Do të jetë Roma e vërtetë ajo që fitoi të dielën kundër Sampdorias", - thekson Mancini.
"Shpresojmë se do ta mbyllim cështjen e titullit nesër mbrëma (sot), edhe për faktin se luajmë përpara publikut tonë. Por, duhet të mendojmë vetëm për të luajtur ndeshjen me një përqendrim të madh dhe të kërkojmë të fitojmë", - tha dje në konferencën e zakonshme për shtyp trajneri i Interit, Roberto Mancini. "Nëse do të jemi në gjendje të fitojmë, do të festojmë për titullin, përndryshe do të na duhet të presim dhe pak", - shton Mancio, i cili ka fituar tituj të ndryshëm si lojtar dhe trajner. "Te Sampdoria nuk kishim fituar kurrë një titull dhe ishte dicka e re për ta. Te Lacio kishin tridhjetë vjet pa fituar dhe titullin e fituam në javën e fundit. Te Interi është një situatë e ndryshme. Nuk e fitoj si lojtar, por si trajner, megjithatë emocionet mbeten të njëjta", - thekson Mancini.
Te Interi kanë drejtuar trajnerë të mëdhenj, por Mancini është i vetmi që po fiton një titull kampion në vitet e fundit. "Interi pati besim te mua qysh nga dita e parë. Kemi kaluar edhe momente të vështira, por këto janë normale, pasi kur trajnon Interin do të përjetosh edhe momente të tilla", - thotë Mancini, që kujton Hektor Kuperin, që humbi vetëm në javën e fundit titullin e sezonit 2001-2002.

Spaleti: "Interi e meriton titullin"

Luciano Spaleti, tekniku i Romës, flet për sfidën që i pret verdhekuqtë në Milano kundër Interit: "Qëllimi ynë nuk është të pengojmë Interin të festojë, por t'i japim vazhdimësi lojës sonë. Ne i kemi stimujt për të bërë një ndeshje të madhe. Interi ka një formacion të madh, ne të mirë. Interi i shfrytëzoi në mënyrë të shkëlqyer mundësitë që të jep një grup me lojtarë cilësorë dhe e meritojnë ta fitojnë titullin. Ata janë në majë, ndërsa ne kemi bërë gjëra të mira".

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›