E Shtunë, 31 Tetor 2026

Visoka, “knockout” për rekord

"Mr 15 sekondëshi" është futur në mesin e dhjetë "knockout"-uesve më të shpejtë të ringut profesionist
Fitorja me nokaut që boksieri shqiptar i kategorisë gjysmë të rëndë në boksin profesionist, Xhavit Visoka, ka shënuar në përballjen e 14 prillit kundër sllovakut Michal Roman mund të hyjë në mesin fitoreve më të shpejta në historinë e ringut profesionist botëror. Megjithëse nuk ka të dhëna zyrtare nga federatat botërore të boksit profesionist për nokautet më të shpejta, Visoka padyshim është në "top 10" në këtë kategori. Vetëm 15 sekonda pas rënies së gongut për fillimin e mecit, ai e nokautoi kundërshtarin. Nga të dhënat në faqe të ndryshme të boksit del se vetëm pesë boksierë kanë qenë më të shpejtë se "Mr 15 sekondëshi". Boksieri kolumbian i kategorisë "light welterweight", Ever Belenjo, ka nokautuar kundërshtarin e tij Alfredo Lugo pas vetëm 5 sekondave në një përballje të zhvilluar në vitin 1995. Vetëm një sekondë më shumë i është dashur amerikanit Peter McNeeley që të nokautojë Frankie Hines po në vitin 1995. Një tjetër shqiptar që ka shënuar një "ekspres-nokaut" është vushtrriasi Armend Tatari, i cili ka rrëzuar italianin Salvatore De Martino pas vetëm 8 sekondash. Jeremy Williams ka nokautuar Arthur Weathers pas vetëm 10 sekondash. Aurele Couture është një tjetër "ekspres-nokautues" duke rrëzuar Ralph Waltonin për vetëm 10.5 sekonda. "Boxrec.com", faqja e internetit ka publikuar se përballja është mbyllur pas 1 minutë e 10 sekondash, por menaxheri i Visokës, algjeriani Abd-el Kader Aoun ka konfirmuar se nokauti ka ardhur pas 15 sekondash. "Saktësisht pas 15 sekondash kundërshtari i tij ka rënë në dysheme", ka thënë ai, duke shtuar se do të kërkojnë që kjo të përmirësohet në procesverbalet e Federatës së boksit profesionist të Sllovakisë. Ndërkohë, Visoka ka filluar të përgatitet për duelin e radhës, atë të 19 majit, kur do të luftojë për titullin ndërkombëtar të Cekisë dhe Sllovakisë. Ndërkohë, pas kësaj planifikon që të boksojë para publikut kosovar në një mbrëmje gala që pritet të zhvillohet në Prishtinë me pjesëmarrjen e disa prej boksierëve më të mirë shqiptarë të ringut profesionist. Liridon Iberdemaj

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›