Të respektosh dhimbjen e tjetrit
Të gjithë jemi të ndërgjegjshëm se vendi po kalon momente të vështira, momente që do të mbeten gjatë në kujtesën e shqiptarëve, ngjarje e cila do të shënohet si një ndër tragjeditë më të rënda që ka kaluar vendi, në gjithë historinë fatkeqe të tij. Gjithkush bën komentet e tij për situatën duke aluduar për hipoteza të ndryshme si ndodhi ngjarja, e kujt është përgjegjësia se kush janë fajtorët etj etj. Shpesh here këto komente arrijne të bëhen dhe të rëndomta, duke shtuar këtu dhe pasionin e madh të shqiptarëve për të bërë më shumë fjalë se sa punë, duke marre mbi vete përgjegjësi që nuk u takojnë. Politika po lëviz. Një lëvizje që në fakt duhej të ishte bërë më kohë për të parandaluar pasojat e kësaj katastrofe. Lëvizja e tyre vazhdon të jetë gjithnjë e lidhur ngushtë me interesat personale. Opozita është hedhur në sulm, me akuzat kundra qeverisjes, akuza të cilat në vend që të zbusin situaten e përkeqësojnë më shumë atë dhe për më tepër në këto momente nuk i nevojiten askujt. Daljen në konferenca shtypi të liderëve kryesore të partive politike janë të cdo minute. Po a arrijnë të kuptojnë vallë që në një moment të tillë duhet t’i lënë mënjanë mëritë e tyre dhe veçanërisht interesat e tyre politike, për të bërë diçka më me vlerë për këta njerëz të pafajshëm, se sa të shfrytëzojnë rastin për të marrë pushtetin në dorë. Kur vjen puna për të mbledhur votat e elektoratit deputetët shkojnë çdo ditë në zonat e tyre elektorale dhe me paturpësinë më të madhe u premtojnë banorëve se do t’u zgjidhin të gjitha problemet dhe hallet që ata i shqetësojnë. Sapo mbaron fushata elektorale harrojnë gjithçka dhe nisin të shijojnë të gjitha privilegjet dhe favoret të cilat u ofron posti, dhe populli i thjeshtë i pafuqishëm para pushtetit, megjithëse duhet të jetë sovrani më i madh, vazhdon të vuajë në heshtje me kokën ulur, duke punuar gjithëfarësoj punësh për të siguruar kafshatën e bukës për fëmijët. Fëmijë të cilët në vënd që të shkollohen dalin në rrugë duke lypur, duke shitur paketa apo duke bërë punë të ndryshme, megjithëse sipas ligjit puna për të miturit është e ndaluar. Është e vërtetë që të jesh i pushtetshëm duhet të jesh i paskrupullt, harbut, imoral dhe i pa ndjeshëm. Politikanët shqiptare veçse i plotësojnë plotësisht këto kritere i kalojnë caqet duke u kthyer në përbindësha të vërtetë. Kjo do të thotë se ndjeshmëria e tyre, të qenit human, për ta ekzistojnë vetëm si nocione dhe si diçka tepër njerëzore. Në disa raste heshtja është flori,kjo është ajo që duhet të bëjnë dhe këta të ashtuquajtur politikanë. Këta njerëz fatkeqë nuk kanë nevojë t’i mëshirosh apo të thuash rëndom se solidarizohemi me dhimbjen tuaj, janë thjeshtë fjalë klishe të cilat nuk arrijnë të deportojnë dot përtej dhimbjes së tyre, ata janë të lodhur nga fjalët e tepërta janë të lodhur nga premtimet boshe, nuk ekziston asnjë fjalë magjike, asnjë ilaç çudibërës që t’u kthejë gëzimin e jetës që tashmë e kanë humbur për gjithmonë. Në momente zije njeriu respekton dhimbjen e tjetrit dhe kjo zakonisht bëhet në heshtje. Koha ka karakter hapësinor dhe që gjithçka t’i kthehet normalitetit nuk duhet ti vëmë asaj kufij konvencionalë. Le t’i lëmë ngjarjet të ndjekin rrjedhën e tyre normale pa vendosur barriera në mënyrë që uji të rrjedhë në hullinë tonë.
Le të respektojmë dhimbjen e tyre! Nga Silvana Tresa