Kongresi amerikan konfirmon nga Shkupi anëtarësimin e Shqipërisë në NATO
Anëtarësimi në NATO do të bëhet realitet për 3 vendet e Kartës së Adriatikut. Garancia është dhënë dje në Shkup Kryetari i Komisionit për përkrahjen e demokracisë të Dhomës përfaqësuese të Kongresit të SHBA-së Dejvid Prajs, gjatë një takimi që ka zhvilluar me Ministrin e Mbrojtjes Llazar Elenovski. Delegacioni u njoh me të gjitha transformimet, por edhe për drejtimin në të cilin do të lëvizë mbrojtja në periudhën e 10-të viteve të ardhshme në pajtim me tashmë planin afatgjatë të përpunuar për zhvillimin
e mbrojtjes si dhe për pjesëmarrjen e pjesëtarëve të ARM-së në misionet paqeruajtëse. Prajs pas takimit theksoi se me ministrin Elenovski është biseduar për çështje nga fusha e mbrojtjes, ku është shprehur falënderimi i SHBA-së për pjesëmarrjen e Maqedonisë në misionet në Irak dhe në Afganistan si dhe për mirëbesimin në gatishmërinë e vendit që të inkuadrohet në NATO. Ai shprehu shpresë se të gjitha pengesat do të mënjanohen dhe se anëtarësimi në NATO do të bëhet realitet për Maqedoninë dhe për të gjitha vendet e tjera që kërkojnë hyrje në Aleancë. “E dimë se me rëndësi të veçantë për këtë vend dhe për çdo demokraci në zhvillim është që të ketë legjislaturë e cila i përgjigjet interesave të shoqërisë dhe të njëjtat t'i kthejë në ligje” - deklaroi Prajs. Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve se cili është qëndrimi i tyre rreth çështjes për emrin me Greqinë Prajs thekson se nuk ka një qëndrim formal. “Nuk kemi që një qëndrim formal, por duam që Maqedonia të jetë pjesë e NATO-s dhe të gjendet një zgjidhje. SHBA-ja vazhdimisht i jep përkrahje të tërësishme zhvillimit demokratik dhe ekonomik të Maqedonisë. I shprehim falënderim Maqedonisë për përkrahjen në operacionet tona ushtarake dhe duam që ta shohim Maqedoninë në NATO. Maqedonia është spirancë e demokracisë dhe stabilitetit në Ballkan që ka një rëndësi të madhe në kuadër të integrimit evropian," është deklaruar kryetari i Komisionit për përkrahjen e demokracisë të Dhomës përfaqësuese të Kongresit të SHBA-së. Ai edhe një herë e thekson përkrahjen e SHBA-së në të gjitha mënyrat e mundshme. Prajs theksoi se kandidatët presidencialë edhe nga partia demokratike edhe nga ajo republikane në SHBA, e përkrahin integrimin e Maqedonisë në NATO dhe siç tha kjo çështje nuk është pjesë e politikës partiake në SHBA