E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: 40 ekipe të vlerësimit të dëmit ekonomik janë duke punuar në Gërdec

Qeveria ka deklaruar dje se ekipet e vlerësimit të dëmit ekonomik janë duke punuar me kapacitet të plotë në Gërdec të Vorës. Kryeministri Sali Berisha vuri në dukje se po punojnë 40 ekipe të vlerësimit të dëmit ekonomik. Kryeministri u shpreh se kanë funksionuar 10 grupe të tilla, që, me gjithë kohën jo aq të favorshme, kanë arritur të vlerësojnë rreth 410 banesa dhe objekte të tjera. “Aktualisht, funksionojnë 40 grupe, që është një numër jo i vogël dhe besoj se ato do të kryejnë një vëllim pune disa herë më të madh sesa dje, duke u përpjekur që vlerësimi të kompletohet në një kohë sa më të shkurtër”, theksoi Kryeministri. Sipas tij, duhet të ketë vlerësues edhe nga pushteti vendor, ku krahas grupeve që dërgohen nga Shtabi i Emergjencës, në to duhet të marrin pjesë edhe qytetarë me dije nga bashkia e Vorës. Kryeministri Berisha, deklaroi se Këshilli i Ministrave ka vendosur që përveç shpenzimeve të varrimit, t’u akordojë familjeve të viktimave edhe një fond prej 2 milionë lekësh.Këshilli i Ministrave urdhëroi ngritjen e një komision ndërministror për marrjen e masave për vlerësimin dhe riparimin e dëmeve të ngjarjes, vetëm një ditë pas shpërthimeve të së shtunës në Gërdec. “Kam vendosur që me vendim të Këshillit të Ministrave të shpallim zonën “Zonë të fatkeqësisë”, tha kryeministri. Komisioni ndërministror i kryesuar nga Kryeministri, po ndjek çdo minutë ngjarjen, për të bërë të gjitha vlerësimet, për të marrë të gjitha masat së pari, për mjekimin e të plagosurve, për të bërë çdo gjë për shpëtimin e jetës së tyre, së dyti, për të riparuar në një kohë sa më të shkurtër dëmet e mëdha dhe serioze të krijuara në zonën e fatkeqësisë nga eksplozioni i përmasave të mëdha, vala goditëse e të cilit, tejkaloi dhe Tiranën. Ndërkaq, lidhur me depozitat e gazit të cilat banorët e zonave në Gërdec i shohin si një rrezik për jetën e tyre, Berisha tha “se do të shqyrtohen të gjitha kondicionet dhe çdo gjë që do të jetë jashtë tyre do të rivendoset, mbi bazën e ligjit”. “Nuk dua të bëj ketu detyrën e Inspektoriatit Shtetëror, por ai do të marrë porosi të prera jo vetëm për Vorën, por për të gjitha vendndodhjet që duhet të jenë në përputhje me standardet”, tha më tej në vijim të fjalës së tij, Kryeministri në konferencën për shtyp. Nga ana tjetre, Departamenti i Informacionit të Këshillit të Ministrave deklaroi se Komisioni Ndërministror i Emergjencës Civile, sipas informacioneve të Komandës së Forcës së Bashkuar të Ministrisë së Mbrojtjes informon se ka vazhduar intensivisht plani i operacionit për likuidimin e pasojave të shkaktuara nga shpërthimi i municioneve në depot e Gërdecit. Forcat pjesëmarrëse në operacion janë duke vijuar veprimtarinë e tyre për pastrimin e zonës nga ndotjet me municione të paplasura dhe mbetjet e tyre si dhe dhënien e ndihmës për eliminimin e pasojave. Strukturat pjesëmarrëse të Forcave të Armatosura në operacion kanë angazhuar forca nga Brigada e Reagimit të Shpejta, Brigada e Mbrojtjes Rajonale, Regjimenti Komando, Regjimenti i Helikopterëve, Grupet Speciale të EOD dhe AME, Policia Ushtarake, Batalioni Xhenier Ndërtues. Me Forca Sigurie 138 persona, Forca Kërkim Shpëtimi 250 persona, Forca Mbështetëse 150 persona, Forca të tjera 142 persona. Këto forca operacionale janë mbështetur në 54 mjete transporti, 10 ambulanca, 2 fadroma, 2 hapëse pistash me zinxhirë, 2 qendra komandim drejtimi të lëvizshme. Gjatë operacionit deri më tani janë kontrolluar dhe pastruar sipërfaqe me 10 ha tokë, janë plasur dhe sistemuar 100 predha. Gjithashtu bëhet e ditur se nga kërkimet është gjetur një tjetër viktimë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›