Mancini e ‘sheh’ titullin

Trajneri italian mendon se skuadrës së tij i nevojiten së paku 11 nga 13 ndeshjet e mbetura në Premierligë këtë sezon, nëse dëshiron të shpallet kampion. City u rikthye në krye pas fitores së arritur të dielën me rezultat 1:0 ndaj Aston Villas.
Pasi e fitoi njërën nga gjashtë ndeshjet e fundit në udhëtim, ky ishte një triumf vital për Mancinin dhe lojtarët e tij, të cilët iu gëzuan fitores falë golit të mbrojtësit Joleon Lescott, në minutën e 63-të.
“E dimë se dhjetori dhe janari ishin muaj të vështirë. Ne kemi lojtarë të lënduar, të suspenduar dhe me obligime tjera. Të gjitha këto janë arsye. Por, tash ne jemi në shkurt dhe jemi ende në krye. Javën tjetër do t’i kemi në dispozicion të gjithë lojtarët, gjë e cila është mjaft e rëndësishme për ne. Të jemi në krye përpara Manchester Unitedit dhe Tottenhamit, kjo tregon se jemi mjaft të fortë”, tha fillimisht ish trajneri i Interit.
“Nga tash deri në fund të sezonit kemi përpara 13 lojë. E dimë se nëse duam ta fitojmë ligën, na nevojiten t’i fitojmë 11 ose 12 prej tyre, nëse është e mundshme”, përfundoi Mancini.