E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mancini, nga Inter në Milan

Mesfushori brazilian i Interit, Amantino Mancini i është bashkuar rivalit të qytetit Milan në formë huazimi për pjesën e mbetur të sezonit të hënën në ditën e fundit të afatit kalimtar të janarit.

Ish futbollisti i Romës ishte transferuar nga trajneri i Interit, Jose Mourinho në korrik 2008 por dështoi të zë vend në formacionin bazë të kampionit të Italisë dhe ishte në prag të kalimit në Olympique Marseille, më herët gjatë muajit të kaluar.

“Milan njofton për transferimin në formë huazimi të Mancinit nga Inter, që përfshin të drejtën e blerjes së gjysmës së kartonit të tij” thuhej në një komunikatë të publikuar në uebfaqen zyrtare të Milanit.

Mancini, i cili dështoi plotësisht në Inter, pritet të luaj rolin e zëvendësuesit të Ronaldinhos. Fillimisht thuhej se mund të vjen deri të shkëmbimi me mbrojtësin e majtë të Milanit, Marek Jankulovski mirëpo çeku mbeti në San Siro.

Disa futbollistë përfshirë sulmuesin brazilian Ronaldo si dhe mesfushorët Andrea Pirlo dhe Clarence Seedorf kanë kaluar në Milan nga Inter.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›