“Mandat të tretë qeverisë për të përmbyllur të gjitha objektivat”
PD Vlorë ndez motorët fushatës, Kollozi e Patozi: Fitore në 23 qershor
Edhe pse duhen edhe 6 muaj deri në zhvillimin e zgjedhjeve parlamentare Partia Demokratike dega Vlorë, ka nisur zyrtarisht fushatën elektorale. Në takimin e së shtunës së kryesisë së kësaj force politike nënkryetari i Partisë demokratike Astrit Patozi deklaroi se në këtë qark mazhoranca do fitoj bindshëm. “Mbarësia e këtij viti nuk mund të jetë e plotë pa fitoren tonë në zgjedhjet e 23 qershorit. Ndaj organizuam këtë mbledhje të parë që të nisim fushatën elektorale, pra, gjithçka dhe të gjitha energjitë e gjithë kapacitetet tona do të mblidhen e ndizen në funksionet të fitores të zgjedhjeve të 23 qershorit. Ne nuk kemi pse presim gongun e fushatës zgjedhore për të nisur aksionin tonë politik”, deklaroi Patozi.
Ndër të tjera, nënkryetari i PD Patozi vuri në dukej se mazhoranca aktuale është qeverisja e premtimeve të mbajtura, e cila në 8 vite u ka ofruar shqiptarëve mirëqenie ekonomike. Në fjalën e tij, përpara kryesisë, kryetari i Partisë Demokratike të Vlorës Ardi Kollozi, shprehu bindjen në fitoren e 23 qershorit, duke argumentuar se kjo forcë ka të gjithë argumentet e mundësitë të sigurojë fitoren për të çuar Shqipërinë drejt familjes Europiane. “Kemi të gjitha arsye për të dashur më shumë Vlorën në 2013, në qoftë se kundërshtarët tanë janë në opozitë por nuk janë të lodhur sepse janë të pasur, ndaj nuk është e domosdoshme fitorja për të, por për ne është e domosdoshme vazhdimi i mandatit të tretë qeverisë për të përmbyllur të gjitha objektivat që i kemi vënë vetes”.
Në përfundim të mbledhjes së kryesisë së Partisë Demokratike u morën disa vendime në lidhje me anëtarësime të reja në kuadër të fushatës elektorale, pajisja e tyre me karta anëtarësie dixhitale, si dhe me festimin e 22 vjetorit të themelimit të Partisë Demokratike në 12 janar.